Deklarata e minutës së fundit, PD: Basha nuk ka etiketuar anëtarësinë e grupit parlamentar si anti-amerikane
Pas lajmeve të publikuara në portale mbi debatet që kanë shoqëruar mbledhjen e grupit parlamentar demokrat pasditen e sotme, Partia Demokratike ka nxituar me një deklaratë të shuajë zërat se kryetari Basha ka etiketuar anëtarësinë si anti-amerikane.
Në deklaratën e minutës së fundit nga selia blu thuhet se në lidhje me spekulimet që qarkullojnë mbi mbledhjen e sotme të Kryesisë së Grupit Parlamentar të PD-së, Kryetari i Partisë Demokratike në asnjë moment nuk e ka etiketuar anëtarësinë, që është shpirti i PD-së, si antiamerikane.
"Ky është një trillim i qëllimshëm nga ata që prej kohësh keqpërdorin gjithçka për interesa personale.
Z. Basha ka thënë se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, janë dhe do të jenë aleati i Partisë Demokratike për një Shqipëri të zhvilluar dhe demokratike dhe askush nuk mund ta cenojë aleancën dhe partneritetin mes Partisë Demokratike dhe SHBA-ve", thuhet në deklaratën e selisë blu.
