Krimi në Fier: Ishte i izoluar në spitalin psikiatrik të Zaharisë, Ora News zbulon si fitoi lirinë vrasësi i Sabrinës

Vrasja e 23 vjeçares Sabrina Benga me bukë në gojë në shtëpinë e prindërve në Zhupan të Fierit nga ish bashkëshorti, ishte një krim I paralajmëruar.  Një vit më parë autori, Elton Metaj i mbajti peng për gati 5 orë dhe u desht ndërhyrja e RENEA-s që ai të dorëzohej dhe të lirohej familja.

Prej asaj kohe ai ndodhej prapa hekurave deri në korrik të këtij viti kur dhe u lirua.

Ora News zbardh detaje të lirimit të 31 vjeçarit i cili vetëm pak ditë më pas shkoi të kryente atë që kishte nisur më përpara: Vrasjen e Sabrinës.

Si u lirua?

Mësohet se vitin e kaluar Gjykata e Fierit kishte marrë  vendim të mbyllte 31 vjeçarin në psikiatri pas ekspertimit psikik që i kishin bërë mjekët dhe që kishin dalë në konkluzionin se I arrestuari vuante nga sëmundje psiqike dhe ishte i paparashikueshëm në veprimte që kryente ndaj të tjerëve. Akt ekspertiza e kishte nxjerrë të papëgjegjshëm.

Në këtë kuadër Prokuroria e Fierit kishte kërkuar zëvendësimin e masës së sigurisë nga ‘arrest me burg në mbylljen e spitalit psikiatrik të Zaharisë në Krujë. Dhe gjykata e Fierit kishte pranuar kërkesën e prokurorisë.

Pas një viti

Në muajin korrik 2021 avokati Kujtim Cakrani ka kërkuar ndryshimin e masës nga izolim në spital në ndjekjen e mjekimit ambulator në ambjentet e shtëpisë.

Kërkesa është bërë në gjykaten e Fierit dhe gjyqtari që shqyrtoi dosjen ishte Pirro Sota.

 Në daten 20 korrik 2021 gjyqtari ka vendosur që autori të dilte nga spitali psikiatrik dhe shërbimin mjekësor ta merrte në shtëpi.

Vetëm një muaj e pak ditë  pasi doli nga burgu, Elton Metaj ka udhëtuar drejt fshatit Zhupan të Fierit për të ekzekutuar ish bashkëshorten me të cilën kishin dhe një fëmijë dy vjeç.

Elton Metaj, ishte proceduar për akuzën për kanosje me armë ndaj vjehrrit dhe kunatit, dhunë ne familje, Mbajtje pa leje të armëve të zjarrit dhe kundërshtim të forcave të rendit.