Vidhnin sendet e çmuara të pushuesve, prangosen 2 persona, procedohet pronari i argjendarisë
Një tjetër grup i hajdutëve që vidhnin pushuesit është goditur në Sarandë! Andon Qurku, Renato Vezelaj, vidhnin kryesisht bizhuteri e sende të tjera me vlerë të cilat I shisnin në një argjendari në Tiranë.
Këto bizhuteri e ora dore, janë vetëm një pjesë e sendeve me vlerë që dy persona u vodhën pushuesve në Sarandë gjatë sezonit turistik.
Andon Qurku, 38 vjeç, banues në Sarandë dhe Renato Vezelaj, 45 vjeç, banues në Tiranë, që të dy të dënuar me herët për vjedhje u vunë në pranga në kuadër të operacionit Pushuesit.
Policia ka provuar autorësinë e tyre në tre vjedhje gjatë verës, ku në fokus ishin pushuesit.
Hetimet ndërkohë kanë zbuluar edhe skemën të cilën ata përdornin.
Kështu pas cdo vjedhje, Qurku dhe Vezelaj, udhëtonin nga Saranda drejt Tiranës, ku një pjesë të sendeve me vlerë i shisnin pranë një argjendarie.
Për blerjen e sendeve të vjedhura, pronari I argjendarisë do të përballet me drejtësinë në gjendje të lirë!
Ndërsa një pjesë tjetër e sendeve të vjedhura u gjetën në banesën e Renato Vezelaj, në Tiranë, bën me dije policia e Shtetit.
Po në kuadër të operacionit Pushuesit, policia e Sarandës arrestoi tre persona nga Elbasani të cilët përgjatë sezonit kryen të paktën 14 vjedhje.
Në pranga u vunë Erion Bylykbashi, 30 vjeç, Nazmi Liçi, 25 vjeç dhe Ani Lici, 22 vjeç.
Sipas policisë së Sarandës, nga korriku deri në Shtator, trioja e hajdutëve hyri në hotele e shtëpi të marra me qira duke u vjedhur pushuesve shqiptarë dhe të huaj, para dhe sende të tjera me vlerë.
Vjedhjet ishin një prej shqetësimeve të ngritura nga turistët këtë sezon vere në Sarandë.

