Burri vret ish-gruan në Fier, në shtator 2020 autori e kishte marrë peng për 5 orë, gjykata e liroi
Një ngjarje e rëndë dhe e paralajmëruar tronditi Fierin pak para mesnatës së të premtes, ku një 31-vjeçar ekzekutoi me armë ish gruan e tij dhe më pas u arratis nga vend i krimit për tu arrestuar ditën e sotme.
Burimet policore thanë se 31-vjeçari Elton Meta i njohur edhe me mbiemrin Bengasi, me precedentë penal, është autori i vrasjes së shtetases Sabina Bengaj me të cilën ishte divorcuar pak kohë më parë.
Në njoftimin zyrtar të policisë thuhet se krimi i rëndë ndodhi rreth orës 22:50, të 10 shtatorit 2021 në fshatin Zhupan, në banesën e prindërve të saj.
Eltoni mësohet se ka shkuar tek banesa e ish gruas, dhe pasi e ka thirrur në oborr e ka qëlluar me armë zjarri duke e lënë të vdekur në vend.
Arratisja
Më pas autori është larguar ndërkohë që në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë që kanë bërë shpalljen në kërkim të 31-vjeçarit dhe kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Në të gjithë zonën u ngritën pika kontrolli përfshirë edhe hyrje-daljet e qytetit ndërkohë që u bët edhe krehja e zonës për kapjen e 31-vjeçarit.
Arrestimi
Sot në mëngjes policia njoftoi arrestimin e Elton Metajt.
"Pas 3 orë ndjekjesh në kushte të vështira për shkak të errësirës dhe rrezikshmërisë që kishte ky person pasi ishte i armatosur, u kap nga Policia në një zonë të pyllëzuar në fshatin Peshtan autori bashkë me armën e krimit" informoi sot (11 shtator) policia e Fierit.
Pengmarrja
Në shtator të vitit 2020 autori i ngjarjes mbajti për më shumë se pesë orë peng ish gruan e tij në të njëjtën banesë ku ndodhi edhe vrasja pasi ajo ishte kthyer tek prindërit bashkë me vajzën e mitur.
31-vjeçari Elton Meta i cili qëlloi me armë në ajër dhe kërcënoi të vriste edhe veten, u ndalua nga ndërhyrja e RENEA-s dhe forcave të ndërhyrjes së shpejtë ndërkohë që për ngjarjen u akuzuar dhe doli në gjykatë më 22 shtator 2020 me akuzat "Armëmbajtja pa leje" , "Kundërshtim i punonjësit të policisë" dhe "Dhunë në familje" .
Lirimi
Pa kaluar një vit nga ngjarja, 31-vjeçari është lënë i lirë, ndërkohë që vëllai i gruas së vrarë mbrëmjen e djeshme, Armando Bengaj akuzon gjykatat se e kanë liruar ish kunatin e tij për shkak të korrupsionit.
"Fajin e kanë gjykatësit e prokurorët e korruptuar që nxjerrin të tillë njerëz kriminelë që sot bënë hatanë e madhe"
Bengaj tregon edhe momentet e ngjarjes, ku thekson se viktima ka qenë në shtëpi me nënën e saj kur është thirrur nga ish bashkëshorti që po e priste me armë në oborr
“Ai ishte një frikacak që të vriste pas krahëve, trimi del përballe. Ishte mamaja në momentin e ngjarjes. Motrën e vrau kur po hante bukë, sa u kthye nga puna. Motra ndërroi jetë në vend, plumbi e kishte kapur në mushkri.”

