Përjashtimi i Berishës, Klevis Balliu: Basha gaboi. Nuk merren vendime të momentit për politikanë të gjithëkohshëm
Përjashtimi i ish-kryeministrit Sali Berisha nga PD, ka sjellë reagime të shumta nga figurat politike. Një reagim ka ardhur edhe nga Klevis Balliu, i cili nëpërmjet një statusi në “Facebook” e ka vlerësuar vendimin e kryedemokratit, Lulzim Basha si një vendim i gabuar që nuk i kushton vetëm Partisë Demokratike por i kushton shumë opozitarizmit në Shqipëri
Për Balliun, Berisha do të mbetet zëri më i fuqishëm opozitar.
Më tej Balliu shton se përballja nuk duhet të jetë me Berishën, por me kryeministrin Edi Rama që sipas tij ka vjedhur shtetin dhe ka shkatërruar demokracinë.
Statusi i plotë:
Përjashtimi i Sali Berishës
Përjashtim i simbolit të opozitarizmit
Vendimi për përjashtimin e Sali Berishës është një vendim i gabuar që nuk i kushton vetëm Partisë Demokratike por i kushton shumë opozitarizmit në Shqipëri. Nuk merren vendime të momentit për politikanë të gjithëkohshëm.
Ai ka qenë, është dhe do të mbetet zëri më i fuqishëm opozitar me denoncimet e tij që nga avionët e drogës e deri tek kapja e shtetit.
I gjithë lidershipi i Partisë Demokratike ishte kokëulur në selinë e PD përballë simpatizantëve demokratë.
Asnjë fitore e PD nuk mund të quhet e tillë nëse ajo vjen duke shkelur të drejtat e demokratëve e aq më tepër të liderit historik të saj.
Armiku dhe përballja është dhe duhet të jetë me Edvin Kristaq Ramën, njeriu i cili ka vjedhur shtetin, ka shkatërruar demokracinë, ka vjedhur shqiptarët dhe ka tradhëtuar Shqipërinë duke cënuar interesat tona kombëtare.
