Durrës, shpërndanin heroinë, kokainë dhe kanabis, prangosen dy persona
Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza të vogla në qytetin e Durrësit.
Sekuestrohen doza me lëndë narkotike heroinë dhe kokainë, arrestohen në flagrancë 2 poseduesit.
Kështu, blutë e Durrësit arrestuan në flagrancë shtetasit E. P., 43 vjeç dhe P. C., 33 vjeç, të dy banues në Durrës.
“Forcat e Posaçme "Shqiponja" në DVP Durrës, në vijim të kontrolleve në qytet për rritjen e parametrave të sigurisë dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë ndaluar në lagjen nr.6, Durrës, një motomjet me drejtues shtetasin E. P., dhe pasagjer shtetasin P. C. Gjatë kontrollit fizik ndaj këtyre shtetasve, shërbimet e Policisë, gjetën disa doza me lëndë narkotike heroinë dhe kokainë, një sasi lëndë narkotike cannabis sativa, gati për shitje.” – njofton policia.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua lënda narkotike, motomjeti, 1 aparat celularë dhe një grirëse hashashi.

