‘Lumë’ droge në Shqipëri/ Softa: ‘Bosët’ harmoni me struktura të veçanta dhe me politikanë
Ditën e djeshme, në Portin e Durrësit, u gjetën 7.7 kg kokainë në kontejner.
Ndërkohë në një intervistë për Ora News, eksperti i kriminalistikës, Fatjon Softa, thotë se sasitë e drogës që qarkullojnë në Shqipëri nuk kanë të ndalur.
Ai shprehet se vendi ynë është bërë si një magazinë ku lënda narkotike, përpunohet, përgatitet dhe bëhet gati për t’u transportuar për jashtë.
“Është një sasi e konsiderueshme droge që nuk ka të ndalur. Sasia sa vjen e rritet dhe gjeografia e lëvizjes saj nuk është vetëm në Shqipëri, por edhe Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe vendet përreth. Droga kohët e fundit ka dy interpretime. Ose sasia është rritur për shkak të kërkesës së tregut dhe fuqizimit të grupeve shqiptare ose forcat e shërbimit të policisë shqiptare, kanë rritur forcën goditëse, dhe sasitë e kapura kanë qenë punë e këtij bashkëpunimi. Mbetet shqetësim se përse pikërisht Shqipëria përdoret si magazinim për futjen e saj, përgatitjen e saj, dhe pastaj ambalazhimi dhe dërgesat për t’i çuar në vendet e BE, që janë Holanda, Belgjika dhe vende të tjera, për konsumim.”
Softa thotë se është e çuditshme se përse ndërpritet aksioni, pasi sipas tij një operacion i finalizuar do të ishte nëse gjendej, burimi, ose koka e grupit që merret me krimin e organizuar.
“Aksioni i plotë do të ishte kur shkon në destinacion, ku përgatit, ku bëhet ambalazhimi, ku përpunohet. Drogërat shkojnë në laboratore, përgatiten dhe bëhen gati për t’i transportuar. Nëse do ta ndiqnim ku do shkonte dhe kush janë marrësit, jo në portin e Durrësit. Polica e ka një trupë, prefesioniste me të gjithë teknologjinë e nevojshme, por ndërprerja e aksionit është e çuditshme. Ky aksion duhet të vazhdonte deri kur të gjendej koka. Do të zbulonim dhe porositësit. Krimi I organizuar ka disa struktura, fillon që nga porositë, transportuese e me radhë.”
Ai thotë se njerëzit që merren me krimin e organizuar dhe sipas tij ata kanë një harmoni me struktura të veçanta, deri te politikanët.
“Bota e krimit, sot janë bërë më të pasur, dhe sot paguajnë. Ka një harmoni mes grupeve të organizuara për drogën dhe elementë të veçantë të deportuar në struktura, si në policinë e shtetit si në struktura të pushtetit lokal, si drejtues komunash dhe Bashki dhe deri te politikanët. Kështu janë një lloj suporti që gjejnë një mbrojtje. Kjo është një luftë e vazhdueshme mes strukturave të shtetit dhe individëve.”
Një tjetër ngarkesë me kokainë e fshehur në banane është zbuluar në portin e Durrësit ditën e djeshme. Sasia prej 7.7 kilogramë drogë u gjet në kontejnerin e kompanisë 'Alba Fruits Exotic' që mbërriti me anije nga Ekuadori. Kompania që kishte porositur ngarkesën është kapur edhe tri herë të tjera me lëndë narkotike, pronari i saj është shpallur në kërkim kurse menaxheri është arrestuar.
Kontinjeri me 7.7 kg kokainë i bllokuar ditën e djeshme në Portin e Durrësit, rezulton të jetë nisur në ditët e para të muajit Gusht nga porti Guajakil në Ekuador, dhe ka mbëritur në 18 gusht 2021, në portin e Durrësit.
Intervistoi Sebastian Zonja, përgatiti për online Anila Kolgjini.
