Punonjësit e pastrimit pas zjarrit apokaliptik në Panaja, dogjën mbeturinat dhe i vunë flakën fshatit

Dy persona, punonjës të një firme pastrimi në Vlorë, u arrestuan me akuzën për zjarrvërie të qëllimshme pas ngjarjes së ndodhur një ditë më parë në Panaja, ku një sipërfaqe e gjerë pylli dhe ullishtesh u shkrumbua nga flakët. Të arrestuarit i kanë vënë zjarrin disa mbeturinave por më pas flakët u përhapën duke u bërë shkak edhe për bllokimin e rrugës së vjetër Fier-Vlorë. Nga ana tjetër autoritetet e emergjencës në Lezhë kanë nisur përllogaritjen e dëmeve të shkaktuara nga zjarret gjatë muajve të verës.

Këto janë pasojat e zjarrit që u përhap të martën në fshatrat Panaja dhe Bastrovë në zonën e Vlorës.

Flakët shkrumbuan dhjetëra hektarë sipërfaqe, mes tyre plantacione të mëdha me ullinj.

Hetimet paraprake tregojnë se vatra e zjarrit në Panaja ishte i qëllimshme.

Sipas policisë personat e arrestuar për ngjarjen janë Sardi Dalipaj, 26 vjeç dhe Fatmir Rrapaj, 64 vjeç, banues në fshatin Mifol, punonjës të një firme pastrimi, ndërkohë që është proceduar në gjëndje të lirë për shkak të moshës, shtetasi i mitur me iniciale E. D., 14 vjeç.

Tre personat akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë ndezur zjarr, për djegien e mbeturinave, anës rrugës së vjetër Vlorë -Novoselë por si pasojë flakët u përhapën në një zonë të gjerë të favorizuara edhe nga  era.

Banorët apeluan për dënime maksinale për zjarrëvënësit.

Nga ana tjetër në Lezhë ka nisur përllogaritja e dëmeve të shkaktuara nga zjarret gjatë sezonit të verës.

Mbi 400 hektarë pyjë u dogjen në këtë qark vetëm përgjatë muajit gusht.

Sipas Mbrojtjes Civile, dëmet më të shumta kanë qenë në Thirrë dhe Munellë të bashkisë Mirditë.

Shumica e zjarreve kanë qenë të qëllimshme, ndërsa kjo situatë ka nxjerrë në pah edhe mungesën e burimeve njerëzore dhe logjistike për të ndërhyrë në raste të tilla.