Gjykata zbarkon në Sinec, ekspertët e Administratives në kërkim të provave për dëmtimin e zonës së mbrojtur
Ekspertët e Gjykatës Administrative zbritën në Sinec të mërkurën për të inspektuar punimet e firmës Salillari dhe Bashkisë Kuçovë.
Gjykata e Vlorës kishte urdhëruar specialistët të gjenin prova dhe fakte nëse punimet prekin zonën e mbrojtur, dhe për të gjetur shkeljet e pretenduara nga banoret e fshatit Lumas.
Ekspertët e Gjykatës shoqëroheshin edhe nga përfaqësuesit ligjor të Bashkisë Kuçovë që është e paditur nga banorët, por edhe nga përfaqësuesi i këtyre të fundit.
Avokati i protestuesve, Arben Llangozi, deklaroi se mungesa e gjyqtarit të çështjes në Sinec, sipas vendimit të dhënë nga vetë ai, tregon njëanshmërinë e këtij institucioni.
"Gjykata ka marrë vendim që edhe ajo vetë të ishte prezent ditën e sotme, por duket qartë që gjykata nuk respekton vendimet e saj dhe duhet të presim drejtësi nga kjo gjykatë e cila duket qartë që në rastin konkret është e njëanshme dhe banorët më ka në thënë që duhet të kërkojmë dhe përjashtimin e trupit gjykues".
I pranishëm në inspektimin, ambjentalisti Sazan Guri ka deklaruar se ajo që është kryer në zonën e Sinecit është një masakër mjedisore e vërtetë.
"Ne kërkojmë drejtësi, ekspertët të bëjnë drejtësi, e vonuar por u takon banorëve."
Pas vezhgimit, raporti pritet ti kalojë gjykatës në seancën e 23 shtatorit.
Banorët e Lumasit kanë kallëzuar penalisht bashkinë Kuçovë dhe kryebashkiakun Kreshnik Hajdari për "Shpërdorim Detyre" dhe "Shkatërrim të Monumenteve të Kulturës" ndërsa kanë depozituar edhe disa padi kundër Salillarit, drejtorit të Policisë së Shtetit dhe drejtorit të policisë së Beratit.

