Në kërkim nga drejtësia amerikane për trafik droge, arrestohet në Tamarë 41-vjeçari i huaj

Finalizohet një tjetër operacion ndërkombëtar në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike.

Në kuadër të operacionit  “Detroit”  i zhvilluar nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale, Drejtoria Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, zyra e Interpolit në Policinë e Shtetit, Njësia Hetimore “Jointshield” që funksionon në bashkëpunim DSS dhe OSI në Ambasadën Amerikane dhe me zyrën e  DEA-s Athinë u bë arrestimi i shtetasit të huaj L. V., 41 vjeç i kërkuar nga drejtësia amerikane, për trafikim të lëndëve narkotike dhe pastrim të produkteve të veprës penale.

Policia e Shtetit, në bazë të informacioneve të marra nga Zyra e DEA-s në Athinë, se një shtetas i huaj i përfshirë në veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve mund të hynte në territorin shqiptar, organizoi punën për lokalizimin e vendndodhjes dhe arrestimin e këtij personi.

Arrestimi i 41-vjeçarit u bë në rrugën  Tamarë-Hani i Hotit.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me qëllim fillimin e procedurave te ekstradimit drejt SHBA-së, sepse Gjykata e Michiganit/ Shtetet e Bashkuara të Amerikës, me vendimin e datës 09.06.2021 i ka vendosur këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale”. /OraNews/