Foto/ Kthehen skenat para Infektivit: Familjarë me qese me ushqime e rroba për të shtruarit në spital
Teksa numri i rasteve të personave me Covid-19 shtohet dita ditës, vërehet rritje e numrit e të shtruarve në spitalin infektiv Covid 1.

Në ambientet e jashtme të spitalit infektiv është kthyer dhe prezenca e familjarëve të të shtruarve me koronavirus. Nga fotot e shkrepura të 'LSA' duken familjarët e pacientëve që presin jashtë spitalit me qese me ushqim dhe rroba për të afërmit e tyre.
Aktualisht të infektuarit me covid po shtrohen në Infektiv ndërsa zëvendës ministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini, në një intervistë për Ora News tha se edhe spitalet e tjera janë në gatishmëri, në varësi të ecurisë së situatës pandemike në vend.

Ministria e Shëndetësisë ka njoftuar ditën e djeshme se janë regjistruar 1.054 raste të reja Covid dhe se 3 qytetarë kanë humbur jetën.
Në Spitalin Infektiv po marrin trajtim 100 pacientë, nga të cilët 15 janë në gjendje më të rënduar.

