Nga Bjeshkët e Tropojës deri në oborret e shtëpisë "lulëzon" hashashi

Nga oborret e shtëpive deri në Majën e Bjeshkëve të Tropojës, operacionet e policisë po konfirmojnë se kultivimi i bimëve narkotike mbetet i shtrirë në të gjithë vendin.

Dy kultivues përfunduan në prangat e policisë këtë të mërkurë dhe dy të tjerë iu shtuan listës së personave në kërkim pasi i shpëtuan arrestimit.

30-vjeçari Gëzim Prengzaj nga fshati Lekurtaj i Tropojës e kishte hapur parcelën e tij të hashashit sipër bjeshkës së fshatit Vilisht. 

Por veprimtaria ishte zbuluar dhe pas një hetimi gati dy mujor, policia e Tropojës e arrestoi këtë të mërkurë.

Parcela e drogës në Bjeshkë i kushtoi procedim penal edhe një inspektori të Pyjeve dhe Mjedisit, i cili akuzohet për shpërdorim detyre dhe moskallëzim krimi.

Në Cakran të Fierit ndërkohë një 69 vjeçar në bashkëpunim me të birin dhe nipin e kultivonin kanabisin brenda oborrit të shtëpisë.

Kur policia mësyri për kontroll në pranga përfundoi vetëm i moshuari, Bektash Gropasi, ndërsa dy të rinjtë arritën të shpëtojnë.

Operacionet e policisë së Shtetit kanë konfirmuar se të ashtuquajturat shtëpi bari, ku bima narkotike rritet në ambiente të mbyllura është trendi i ri i kultivimit në Shqipëri.

Në terren ndërkohë, kanabisi është zbuluar i mbjellë në parcela të vogla, nga oborret familjare deri në zonat e thella malore.