Strehimi i afganëve, Xhaçka: Detyrim moral, të tjerët që do të vijnë do të strehohen për pak ditë në Qytetin Studenti
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme Olta Xhaçka, ambasadorja e SHBA, Yuri Kim, drejtues të FA dhe policisë së shtetit ishin në orët e para të mëngjesit në pritje të grupit të parë afgan.
Ministrja e quajti sukses arritjen e këtij operacioni humanitar në një kohë rekord
"Këto kanë qenë ditë shumë intensive, me shumë punë për të koordinuar një operacion humanitar në një kohë rekord. Por mbi të gjitha kanë qenë ditë shumë të vështira, me shumë shqetësim për fatin e qytetarëve afganë që presim sot sepse situata e sigurisë në Kabul është përkeqësuar shumë" tha Xhaçka.
Rreth orës 3.20 (27 gusht) mbërriti në aeroportin e Rinasit, avioni i parë me 121 qytetarë afganë, mes të cilëve 11 foshnja.
Fatkeqësisht, sulmet e tmerrshme që ndodhën sot, humbja tragjike e jetës e mbi 60 qytetarëve dhe trupave të partnerëve tanë amerikanë, ishte prova e asaj që na shqetësonte ne, që shqetësonte të gjithë partnerët. Ishte pikërisht frika nga sulme të tilla, që na ka shtyrë të bëjmë maksimumin që këta qytetarë të vinin sa më shpejt në Shqipëri, ku janë larg rrezikut e larg frikës për jetën.
Ditë pas dite, na është dashur të përballemi me shtyrje, vështirësi të reja, pengesa të reja si pasojë e situatës së sigurisë. Prandaj sot jam aq e lehtësuar që më në fund avioni i parë arriti të ulet duke sjellë këtu një kontigjent të parë afganësh, burra, gra, fëmijë. Është vërtet një moment emocionues sepse çdo burrë, çdo grua, çdo fëmijë që shihni këtu sot, është një jetë e shpëtuar nga tmerri i luftës dhe i një regjimi që i sheh si armiq për t’u vrarë, për t’u persekutuar.
Detyrim moral
Shqipëria ka pranuar të strehojë rreth 4000 afganë përkohësisht, teksa përpunohen aplikimet e tyre për të emigruar për në Shtetet e Bashkuara.
"Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për mikpritjen dhe besën tradicionale të shqiptarëve, këtu bëhet fjalë edhe për një detyrim moral. Sepse këta afganë, pedagogë, artistë, intelektualë, aktivistë të shoqërisë civile, të drejtave të njeriut apo të grave, ishin për 20 vjet aleatët tanë, aleatët e NATO, besuan tek vizioni i një Afganistani modern e rrezikuan gjithçka për të punuar bashkë me ne për ta bërë realitet atë vizion. Prandaj, ishte një detyrim, që këta aleatë të mos i braktisnim në mëshirën e talibanëve, por të bënim çfarë mundëshim për t’ju dhënë mundësinë të largohen nga rreziku qe u kanosej ne vendin e tyre" tha Xhaçka.
Te tjerët në konviktin e QS
Grupi që ka zbritur sot, që është grupi i parë, do të strehohet në një strukturë hoteliere në Durrës.
"Ndërkohë që teksa presim që të kalojë piku i sezonit e të çlirohen kapacitetet e strukturave hoteliere për pjesën tjetër, afganët e tjerë që do të vijnë në ditët në vijim do të strehohen për pak ditë në konviktet e QS" tha ministrja Xhaçka duke shtuar se janë marrë masa për gjithçka, për përpunimin e dokumentacionit e regjistrimin, për kontrollet e kujdesin shëndetësor, për paketat higjienike, për ushqimin, transportin e padyshim edhe sigurinë.
