Ministria e Mbrojtjes konfirmon: Mbërritja e afganëve çështje orësh

Një grup i parë qytetarësh afganë që do të strehohen përkohësisht në Shqipëri pritet të mbërrijë në aeroportin ushtarak në Rinas pas orës 02.00 të mëngjesit. 

Ndërkohë ministria e Mbrojtjes bën me dije se mbërritja e tyre në Aeroportin e Rinasit është çështje orësh.

“Në orët në vijim pritet mbërritja e avionit të parë me qytetarë nga Afganistani. Për arsye të sigurisë, nuk do të lejohen kamera në pistë, por planet do t’ju shpërndahen përmes një linku të posaçëm,” lajmëron ministria.

Nga informacionet e para mësohet se bëhet fjalë për më shumë se 120 persona, mes tyre dhe shumë fëmijë, të nisur nga Kabuli. Ata pritet të strehohen në struktura hoteliere në Durrës.