Vrasja në Lushnje: Hetohet pista e konflikteve për bizneset që menaxhonte Bujar Muça

Konfliktet për menaxhimin e lojërave të fatit si loto sportive dhe kompjuterat e kumarit, dyshohet nga policia se janë bërë shkak për vrasjen me 21 plumba të Bledar Muçës më 23 gusht 2021 në Lushnje.

Ngjarja që tronditi qytetin për shkak edhe të plagosjes së 5 personave të pafajshëm që ndodheshin në lokal, vijon të mos ketë asnjë person të dyshuar.

Ndërsa policia dhe prokuroria e këtij qyteti janë duke punuar në disa drejtime ku pistat kryesore janë ato të aktivitetit të viktimës në menaxhimin e lojërave të fatit.

Sipas burimeve viktima menaxhonte disa biznese në Lushnjë, të cilat i kishte regjistruar në emër të gruas së tij, ndërkohë që nuk kishte hequr dorë nga menaxhimi i basteve sportive dhe kompjuterave.

Sipas dokumenteve gjyqësore viktima Bledar Muça, në vitin 2014 është arrestuar nga policia e Lushnjës dhe më pas dënuar nga gjykata me 3 milion lekë të vjetra për “Organizim i llotarive të palejuara”.

Por për shkak të gjykimit të shkurtuar, ky dënim u ul përfundimisht në masën e gjobitjes së tij me 2 milion lekë të vjetra.

Në vendimin e siguruar nga “Ora News”, thuhet se bashkë me Bledar Muçën, i pandehur në këtë çështje penale ka qënë dhe shtetasi me iniciale P. R, i cili është dënuar me 2 milion e 400 milion lekë të vjetra, për akuzën e “Vënies në dispozicion të lokaleve për lojra të palejuara“.

Pikërisht aktivitetet e paligjshme dyshohet se janë bërë shkak për vrasjen e Bledar Muçës.

Policia dhe prokuroria e Lushnjës janë duke hetuar pistat e vrasjes për shkak të konflikteve për bizneset që menaxhonte viktima edhe pse deri tani nuk ka ndonjë person të dyshuar në lidhje me ngjarjen.

Ajo çka bie në sy sipas hetuesve është se në vendin e ngjarjes, pranë bar Pedonalja, autorët nuk kanë lënë asnjë gjurmë apo provë që mund ti ndihmonte hetuesit në zbardhjen e ngjarjes.