Afganët në Shqipëri nën mbrojtje për 1 vit, Rama ngre task-forcën me shtatë ministra

Shtetasit nga Afganistani që do të mbërrijnë në vendin tonë do të qëndrojnë të paktën një vit në Shqipëri. Kryeministri Edi Rama ka firmosur vendimin për formimin e një Taskp-Force me pjesëmarrjen e 7 ministrave e cila do të koordinojë mbërritjen e shtetasve afganë dhe strehimin e tyre në Shqipëri. Vendimi I qeverisë parashikon dhënien e mbrojtjes për afganët për një afat 12 mujor pa përjashtuar mundësinë që ky afat të zgjatet në varësi të zhvillimeve të mëvonshme.

Kryeministri Edi Rama ka urdhëruar formimin e një strukturë Task-Forcë, e cila do të menaxhojë strehimin dhe mbrojtjen e shtetasve afganë që do të mbërrijnë në Shqipëri. Task-Forca kryesohet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ka në përbërje, si më poshtë vijon Ministrin e Brendshëm, Ministrin e Mbrojtjes; atë të ekonomisë, Ministrin e Arsimit, Ministrin e Shëndetësisë  dhe Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit.

Në vendimin e qeverisë, thuhet se sipas nevojave ftohen të marrin pjesë në strukturën Task-Forcë edhe përfaqësues të institucioneve të tjera me kërkesë të kryetarit të kësaj njësie. Sipas vendimit, qeveria shqiptare parashikon dhënien e mbrojtjes së përkohshme shtetasve afganë dhe personave pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit që hyjnë masivisht dhe të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë në territorin e Republikës së Shqipërisë.

Në vendim theksohet se shtetasit afganë do të qëndrojnë në vendin tonë për një afat 1 vjeçar pasi edhe mbrojtja e përkohshme për këta shtetas fillon nga momenti i hyrjes në Republikën e Shqipërisë për një 12 mujor. 

Task Forca e ngritur për strehimin e afganëve ka për detyrë negocion me partnerët ndërkombëtare për çështjet që lidhen me strehimin e afganëve, harton planin e veprimit për menaxhimin e fluksit të kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare; koordinon situatën e pritjes dhe të akomodimit të shtetasve afganë, evidenton nevojat emergjente për t’i paraprirë punës me ndryshimet e mundshme të kuadrit ligjor, si dhe analizon kërkesat shtesë buxhetore për funksionimin, shpenzimet dhe bazën e nevojshme materiale, si dhe koordinon fondet e donatorëve për këtë qëllim.

Periudha e veprimit të Task-Forcës është deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare nga shtetasit afganë dhe personat pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit. Vendimi i qeverisë hyn në fuqi menjëherë dhe për zbatimin e tij ngarkohen ministritë pjesëmarrëse në strukturën e Task-Forcës.

Vendimi:

K R Y E M I N I S T R I
EDI RAMA

***

V E N D I M
PËR

DHËNIEN E MBROJTJES SË PËRKOHSHME SHTETASVE AFGANË DHE PERSONAVE PA SHTETËSI ME VENDQËNDRIM TË PËRKOHSHËM OSE TË PËRHERSHËM NË REPUBLIKËN ISLAMIKE TË AFGANISTANIT DHE PËR KRIJIMIN E TASK-FORCËS PËR MENAXHIMIN E FLUKSIT TË KËRKUESVE TË MBROJTJES NDËRKOMBËTARE

Në mbështetje të neneit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 82, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Brendshëm dhe të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Dhënien e mbrojtjes së përkohshme shtetasve me shtetësi apo kombësi afgane dhe personave pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit, që hyjnë masivisht dhe të koordinuar me partnerët ndërkombëtarë në territorin e Republikës së Shqipërisë, për arsye të luftës, situatës së ngjashme, dhunës së përgjithshme dhe konfliktit të brendshëm, të karakterizuara nga shkelje të të drejtave të njeriut dhe që kërkojnë mbrojtje nga Republika e Shqipërisë.

2. Mbrojtja e përkohshme për këta shtetas fillon nga momenti i hyrjes në Republikën e Shqipërisë për një afat 1-vjeçar.

3. Përjashtohen nga e drejta e mbrojtjes së përkohshmen të gjithë personat të cilët plotësojnë një nga kushtet e përcaktuara në nenin 83, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.

4. Autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët mund të vendosë që kërkuesit t’i kufizohet liria e lëvizjes, nëse e konsideron të nevojshme, bazuar në vlerësimin individual të secilit rast sipas përcaktimeve të neneve 46 dhe 47, të ligjit nr.10/2021, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.

5. Krijimin e Task-Forcës, si një strukturë e posaçme e përkohshme, për menaxhimin e fluksit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare nga shtetasit afganë dhe personat pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit.

6. Task-Forca kryesohet nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ka në përbërje, si më poshtë vijon:

a) Ministrin e Brendshëm;
b) Ministrin e Mbrojtjes;
c) Ministrin e Financave dhe Ekonomisë;
ç) Ministrin e Arsimit, Sportit dhe Rinisë;
d) Ministrin e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale;
dh) Ministrin e Turizmit dhe Mjedisit.

Sipas nevojave ftohen të marrin pjesë përfaqësues të institucioneve të tjera me kërkesë të kryetarit të Task-Forcës.

7. Task-Forca ka këto detyra:

a) Negocion me partnerët ndërkombëtare për çështjet që lidhen me objektin e këtij vendimi;
b) Harton planin e veprimit për menaxhimin e fluksit të kërkuesve të mbrojtjes ndërkombëtare;
c) Koordinon situatën e pritjes dhe të akomodimit të shtetasve afganë dhe personave pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit;
ç) Evidenton nevojat emergjente për t’i paraprirë punës me ndryshimet e mundshme të kuadrit ligjor, nënligjor e rregullator, të cilat ndikojnë në përmirësimin në këtë funksion;
d) Analizon kërkesat shtesë buxhetore për funksionimin, shpenzimet dhe bazën e nevojshme materiale, si dhe koordinon fondet e donatorëve për këtë qëlllim.

8. Task-Forca ndihmohet nga sekretariati teknik në detyrat administrative. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme dhe ministri i Brendshëm janë përgjegjës për ngritjen e këtij sekretariati, përcaktimin e përbërjes dhe të mënyrës së funksionimit të tij.

9. Periudha e veprimit të Task-Forcës është deri në përfundimin e shqyrtimit të kërkesave për mbrojtje ndërkombëtare nga shtetasit afganë dhe personat pa shtetësi me vendqëndrim të përkohshëm ose të përhershëm në Republikën Islamike të Afganistanit.

10. Ngarkohen Ministria e Brendshme, Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ministria e Mbrojtjes, Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Ministria e Drejtësisë, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Ministria e Financave dhe Ekonomisë për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”", vendimi i qeverisë.