"Rama duhet të ishte para drejtësisë", Basha: Asgjë e mirë nga një e keqe e vjetër që shkatërroi Shqipërinë
Përmes një postimi në “Twitter”, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, tha se Rama është një e keqe e vjetër që e ka bërë Shqipërinë të pajetueshme për fëmijët tanë. Sipas kreut të demokratëve, bilanci real i kësaj qeverie është korrupsioni, krimi, varfëria dhe largimi i shqiptarëve nga vendi.
Kryetari i Partisë Demorkatike, Lulzim Basha, reagoi pas bilancit të kryeministri Edi Rama, duke shkruar në rrjetet sociale se nuk kishte asgje të re nga përsëritja e mashtrimeve të vjetra.
Basha thotë se ai që ai e quan "regjimi" Rama, ka mbjellur vetëm korrupsion, krim dhe varfëri.
Basha: Plehrat digjen në kriza mjedisore të stisura për të çuar taksat e qytetarëve te mafia e inceneratorëve, krimi gëlon prej ortakërisë me pushtetin, korrupsioni që ka kapur shtetin është i përhapur në cdo qelizë të qeverisë, varfëron dhe largon shqiptarët, të braktisur edhe në kohë pandemie me numrin më të lartë të vdekjeve në raport me popullsinë në Europë dhe paketat më të vogla ekonomike në kontinent, integrimi mbahet peng nga dështimet e njëpasnjëshme.
Basha thotë se bilanci i vërtet është ky që ai liston, ndërsa sipas tij autorët duhet të ishin përpara drejtësisë për atë që u kanë bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve në këto 8 vite.
Partia Demokratike, thotë ai, është e angazhuar për të sjellë ato zgjidhje që masakra e 25 prillit u mohoi qytetarëve.
Basha: Asgjë e mirë nuk mund të vijë nga një e keqe e vjetër që e ka bërë Shqipërinë të pajetueshme për fëmijët tanë.

