Shtëpite e “barit” në Tiranë, prodhuesit e kanabisit po përdorin llamba që kushtojnë 10 mijë euro

Fenomeni i kultivimit të kanabisit brenda banesave po kthehet në një fenomen të përsëritur në Tiranë, ndërkohë që trafikantët dhe organizatorët e këtij aktiviteti kanë sofistikuar veprimtarinë e tyre duke përdorur llamba ndriçuese që kushtojnë deri në 10 mijë euro. Dy ditë më parë në Kashar policia goditi një tjetër rast të kultivimit të hashashit në banesë ku në pranga ranë babë e bir dhe u sekuestruan rreth 70 rrënjë hashashi me gjatësi 2 metra. Nga fillimi i vitit në kryeqytet janë goditur të paktën 10 baza të tilla.

Fenomeni i shtëpive të hashashit po zgjerohet edhe në Tiranë duke marrë përmasa të mëdha.

Burime nga policia bëjnë me dijë se nga fillimi i vitit dhe deri më tani janë evidentuar dhe asgjesuar bimë kanabisi të kulivuara në ambiente të brendshme në më shumë se 10 banesa të cilat trafikantët i kishin përshtatur për bimën narkotike.

Po përveç arrestimit të personave të cilët merren me kultivimin e  drogës në vetëm pak muaj janë arrestuar dhe proceduar edhe elektriçistë apo ish-elektriçistë që kanë ndihmuar lidhjen e energjisë elektrike në ambientet ku kultivohet kanabisi.

Sipas policisë, këta persona krijonin kushte në banesa si me instalimin apo me ndërhyrjet në sahatin matës në mënyre që në fatura të energjise elektrike të mos pasqyronte konsumin e rritur nga përdorimi i llambave ndriçuese.

Kjo për faktin se në disa raste policia ka sekuestruar disa aparatura dhe kryesisht llamba TL ose Fluoreshente nga 400 deri në 600 vat, të cilat dyshohen se kanë ardhur nga tregu i huaj.

Në disa raste, sipas policisë, llambat e përdorura në ambientet e brendshme ku kultivohet kanabis kapin vlerën e tregut deri në 10 mijë euro.

Trafikantët si zonë preferenciale kanë banesat në katet e fundit të pallateve ose banesave private, të cilat i marrin me qira. Ata punësojnë zakonisht burrë e grua për tu kujdesur për bimët narkotike me qëllimin për të shmangur dyshimet tek banorët apo tek policia.

Kjo mënyre veprimi dyshohet se është huazuar nga Britania dhe Spanja dhe ka sjellë edhe lëvizjen e çmimeve në tregun kriminal të kanabisit.

Goditja më e fundit e policisë është ajo në zonën e Kasharit ku në pranga ranë babë dhe bir, Fatmir Sulaj, 56 vjeç dhe Hamdi Sulaj, 25 vjeç.

Ata kishin përshtatur një nga dhomat e banesës së tyre si serë kanabisi ku u sekuestruan rreth 70 rrënjë, të cilat ishin në fazën përfundimtare.

Në banesë u sekuestruan edhe 2 armë zjarri kallashnikov si dhe disa pajisje, të cilat kanë shërbyer për rritjen e kanabisit, përfshirë edhe llamba tepër të kushtueshme.