“Del huq”operacioni i RENEA-s, veprimet në terren mbyllen pa arrestimin e vrasësve të Bledar Muçës

Operacioni i policisë së shtetit dhe forcave speciale RENEA i nisur mbrëmjen e 24 gushtit, një ditë pas ekzekutimit të biznesmenit Bledar Muça në Lushnje, është mbyllur pa arrestimin apo shoqërimin e autorëve të vrasjes.

Policia e shtetit njoftoi se gjatë operacionit forcat speciale kanë kryer kontrolle të befasishme në Durrës, Lezhë, Mamurras e Elbasan, ku janë shoqëruar 21 persona ndërsa është bërë arrestimi i shtetasit Astrit Seferi, i kërkuar për plagosjen e katër personave në vitin 2017 në Laprakë.

Seferi ra në pranga në Mamurras, gjatë kontrolleve të kryerja atje.

 36 vjeçari sipas policisë është shpallur në kërkim pasi në mungesë të tij është vendosur masa ‘’Arrest në burg” për veprat penale “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese’’, e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim dhe “Armëmbajtja pa leje”. Astrit Seferi në vitin 2017, në Laprakë, në bashkëpunim dhe me vëllain e tij, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri 4 persona.

Ndërkohë efektivat e repartit RENEA gjatë kontrollit në lagjen nr.14, Shkozet, kanë arrestuar në flagrancë për armëmbajtje pa leje, shtetasin D. T., 38 vjeç, banues në Shkallnur, Durrës, si dhe proceduan penalisht për veprën penale "Organizimi i lotarive të palejuara", shtetasi E. D., 43 vjeç, banues në Durrës.

Arrestimi i 38-vjeçarit është bërë pasi gjatë kontrollit të mjetit të tij "Range Rover", është gjetur një armë zjarri pistoletë dhe 1 krehër me 13 fishekë. Në vijim të kontrolleve, në lokalin në përdorim të shtetasit E. D., janë gjetur çipsa dhe letra bixhozi. 

Gjithashtu, po gjatë kontrolleve në Durrës, është arrestuar në flagrancë shtetasi L. H., 24 vjeç, banues në Durrës, shpërndarës i lëndëve narkotike, pasi gjatë kontrollit fizik iu gjetën një sasi dozash lëndë narkotike dhe një peshore elektronike, ndërsa në banesë iu gjet një sasi fishekësh.

Në total gjatë operacionit janë shoqëruar për verifikim në ambientet e Komisariateve të Policisë, 21 persona me precedent të mëparshëm penal, të cilët ishin pa dokument identifikimi me vete.