Javën e ardhshme emrat e qeverisë së re, Rama mbledh ministrat në largim: Ishte nder, do jeni ose jo

Kryeministri Rama do të shpallë javën e ardhshme qeverinë e re pas fitores së mandatit të tretë në zgjedhjet e 25 prillit.

Në mbledhjen e fundit me ministrat e kabinetit Rama 2, shefi i qeverisë i falenderoi për punën e bërë teksa paralajmëroi se një pjesë e tyre nuk do të ulen më në atë tryezë.

Edi Rama: Qeveria e re do të shpallet javën e ardhshme dhe ju natyrtisht do të vijoni të gjithë punën deri në minutën e kalimit të detyrës pa lënë asnjë ditë të shkojë kot. Fatmirësisht kemi një skuadër kampione ku ka shumë zgjedhje për çdo rol dhe kampionati katërvjeçar që ka nisur të nesërmen e zgjedhjeve të fundit kërkon jo vetëm një formacion të mirë qeverisës, një kryesi grupi parlamentar apo një kryesi efektive të vetë partisë, por edhe një stol rezervash të gjatë për të pasur në vijimësi mundësi energjizimi të skuadrës. Ky është avantazhi ynë i madh në krahasim me rivalët dhe duhet të gjithë bashkë ta kultivojmë këtë avantazh.

Me shumë mirënjohje për të gjithë ju për mbështetjen e pakursyer, bashkëpunimin e palodhur, kontributin e pakushtëzuar që secila dhe secili prej jush dha në këtë qeveri sipas natyrës dhe mundësisë së vet. Ju falenderoj për të gjithë këtë periudhë sfuiduese kohe që kaluam së bashku në tryezën e qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Ishte një nder për të gjithë ne dhe uroj shumë që ta mbani të gjithë si të tillë përgjithmonë para syve pavarësisht nëse do të jeni apo jo të pranishëm në mbledhjen e parë të qeverisë së re.

Rama tha se mandatin e dytë u mbylli me realizimin të gjitha kushteve e stërkushteve për çeljen e neociatave me BE-në dhe hapjen e një kapitulli të ri në politikën tonë rajonale,  një prej nismëtarëve të Ballkanit të Hapur.

Rama prezantoi disa objektiva për Shqipërinë e vitit 2030 mes tyre kthimi i trendit negativ të largimeve në raport me kthimet në atdhe.

Ndërsa u shpreh i bindur se mandati i  tretë do të jetë një faqe e re e bashkëpunimit me Kosovën, pavarësisht mosdakordësive për “Ballkanin e Hapur”.