U vra me 20 plumba në qendër të Lushnjes, bizneset që menaxhonte Muça ishin në emër të gruas së tij

Gazetari Elton Qynon, i ftuar në edicionin e lajmeve të Ora News, ka dhënë detaje në lidhje me atentatin që ndodhi mbrëmjen e djeshme në Lushnje, ku si pasojë u ekzekutua me 20 plumba, Bleda Muça, 34-vjeç.

Qyno thotë se vrasja e tij, ishte në mënyrë të organizuar, dhe pista kryesore ku është përqendruar hetimi për të zbardhur ngjarjen, janë lojërat e fatit.

Po ashtu ai shton se krimi i rëndë që ka tronditur Lushnjen është kryer për hakmarrje nga një grup influencues në Lushnje.

"Muço është një personazh që ka qenë një nga personat e dyshuar dhe të shoqëruar për tentativë vrasje  në zonën e e Lushnjes, por që emri i tij nuk është lakuar as në media por as në kanalet e informacionit kriminal të policisë të shtetit. Bëhet fjalë për një personazh  që shpeshherë shoqërohej me anëtarë të grupit kriminal që  vepronin në qytetin e Lushnjes, bëhet fjalë për një grup kriminal që është hetuar si Hakmarrja për Drejtësi dhe që padyshim ka një rol determinant në këtë zonë, duke filluar nga rrethrrotullimi Plugut që njihet në qytetin e Lushnjes dhe deri në dalje por edhe  ka një influencë mjaft të madhe qoftë edhe në jetën politike ekonomike në qytet. Viktima padyshim që përfaqësonte një biznes në qytetin e Lushnjes, jo vetëm një lokal ku dhe ka ndodhur ngjarja."

Bizneset në emër të gruas

Gazetari bën me dije se Muça, përveç lokalit ku dhe ndodhi atentati menaxhonte dhe dy biznese të tjera të cilat ishin të regjistruar në emër të gruas së tij Suada Velo.

Kjo e fundit sipas Qynos, është mbesa e Roland Shytit, i cili është dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e Krimeve të Rënda, si pjesëmarrës në disa atentate mafioze, gjatë periudhës së vitit 1996 dhe në vijim.

"Lokali ishte  biznes i ligjshëm i regjistruar në tatime, ishte një biznes që ushtronte një aktivitet tregtar kryesisht në pjesën e pastiçerisë, por edhe në Bar-kafe, por pavarësisht se menaxhohej nga Bledar Muço, ky biznes ishte i regjistruar në emër të gruas së tij, Suada Velo. Në emër të gruas së tij, rezulton se janë regjistruar edhe dy biznese të tjera, siç është nj biznes i kontabilitetit, por edhe një biznes tjetër që merret me transferimin e parave, pikërisht në qytetin e Lushnjes. 

Të treja këto biznese kanë qenë në emër të bashkëshortes së Muços, po që menaxhoheshin nga ky i fundit.

Suada Velo, njihet si mbesa e një personazhi mjaft të njohur në Lushnje, Roland Shyti, një personazh i cili është dënuar me 25 vite burg nga Gjykata e krimeve të rënda, si pjesëmarrës në disa atentate mafioze, gajtë periudhës së vitit 1996 dhe në vijim, por në fakt  të gjitha këto akuza kanë rënë dhe janë pushuar nga Gjyakata e Lartë. "

Lojërat e fatit, shkak i konfliktit mes palëve

Më tej gazetari bën me dije se palët janë përplasur për arsyen e menaxhimit  të lojërave të fatit. Ai thotë se prishja e këtij monopoli ka sjellë që konflikti të përfundojë deri në vrasje.

“Është një atentat i mirëorganizuar. Palët janë përplasur për arsyen e menaxhimit të lojërave të fatit.

Në fakt në të gjithë qytetet e Shqipërisë, kjo veprimtari ushtrohet në mënyrë të paligjshme.

Në rastin konkret të kësaj vrasje, rezulton se një nga pistat është menaxhimi dhe administrimi i kompjuterëve dhe lojërave të fatit në qytetin e Lushnjes. Ka informacione se viktima në Lushnje merrej me aktivitetin e paligjshëm të lojërave të fatit. Mund të  kenë lindur konfliktet për sa i përket taksës së qirasë, për kompjuterët. Këtu besohet se ka ndodhur dhe konflikti, brenda llojit, brenda grupit, ku aderohet dhe viktima, dhe padyshim që mund të ketë lindur edhe një përplasje kaq radikale duke sjelle edhe ekzekutimin e tij me 20 plumba.

Por që bëhet fjalë për një aktivitete që nuk shtrihet vetëm në qytetin e Lushnjes, por që shtrihet edhe në fshatrat  e ndryshëm të këtij qarku, ku padyshim persona që kanë para nëpër duar,  shkojnë dhe luajnë në këto kompjutera.

Padyshim që prishja e këtij monopoli, prishja e këtij biznesi ka sjellë dhe konflikt që ka përfunduar deri në vrasje.

Viktima ka pasur dy javë më para një konflikt me personat që kanë pasur këtë biznes, por për shkak se ata nuk kanë pranuar që t’i kthejnë një pjesë të atyre kompjuterëve që ata kanë pasur në posedim, mesa duket kanë sjellë edhe këtë ngjarje kriminale, për shkak se një pjesë e këtyre kompjuterëve i është dhënë një individ tjetër. Pa dyshim që kjo xhelozi, prishje monopoli,  ka sjellë këtë ngjarje.”

Intervistoi Anila Zyberi, përgatiti për online Anila Kolgjini.