Ish-drejtoresha e Ministrisë së Brendshme mbetet në burg, u arrestua për tenderin e uniformave

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka refuzuar kërkesën e ish- drejtoreshës së Prokurorimeve Publike në Ministrinë e Brendshme Edlira Naqellari për ndryshimin e masës së sigurisë. Ish-zyrtarja e lartë u arrestua së bashku me 9 punonjës të tjerë të akuzuar për korrupsion dhe parregullësi me tenderin e uniformave të policisë.

Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka lënë në fuqi masën ‘arrest me burg’ për Edlira Naqellarin, ish-drejtoreshën e Prokurorimeve Publike, e cila përfundoi pas hekurave pas zbulimit të tenderit abuziv 2.8 mld lekë me uniformat e policisë.

Ish-zyrtarja e Ministrisë së Brendshme kishte kërkuar në gjykatë zbutje të masës së sigurisë, por kjo kërkesë u refuzua pasi edhe prokuroria nuk ka qënë dakort per lirimin e saj.

Arrestimi i Naqellarit dhe i zyrtarëve te tjerë të Ministrisë së Brendshme u bë më 10 korrik të këtij viti.

Ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruar, Edlira Naqellari, u arrestua me urdhër të SPAK pas një hetimi disa mujor ndërsa në pranga ranë edhe bashkëpunëtorët e saj anëtarët e njësisë së prokurimit, Flutura Çekrezi, Anisa Bogdani, Ani Omuri, Kleivis Hasani dhe anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Kreshnik Bejkaj, Fatmir Demneri, Mariglen Buzali dhe Gëzim Mingaj.

Arrestimet kanë lidhje me tenderin abuziv të 11 majit 2020 për uniformat e policisë me vlerë 2.8 miliardë lekë, të akuzuar për shkelje të barazisë në tendera.

SPAK ka përgjuar dhe vëzhguar 9 zyrtarët dhe ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme, ndërsa kanë qenë dy anëtarë të Komisionit ata që kanë firmosur kunder per tenderin që kanë 'zbërthyer' skemën.

Ky tender është refuzuar të firmoset nga një anëtar i Komisionit dhe një anëtar i prokurimeve.

Fituesi i tenderit me vlerë 2.8 miliardë lekë, që ishte bashkimi i 4 operatorëve ekonomik, një kompani shqiptare dhe 3 kompanive të huaja.

Arrestimi zyrtareve të Ministrisë së Brendshme u bë në vazhdën e arrestimeve të Prokurorisë së Posaçme për tenderat e institucioneve shtetërore.