Basha: Nuk e veshim kriminelin me kostum për ta futur në Kuvend

Kryedemokrati, Lulzim Basha në Kuvendin Kombëtar të PD-së, u shpreh  se partia e tij hyri në betejën e 25 prillit me programin më të mirë të hartuar në këto 30 vite.

Ai ka bërë një krahasim me Partinë Socialiste e qeverisur nga  Edi Rama  duke thënë se  PD nuk i vesh kriminelët me kostum për ti emëruar si kryebashkiakë.

Gjatë fjalës së tij para përfaqësuesve të PD-së dhe simpatizantëve, Basha tha se PD hyri në këtë betejë pa asnjë pushtet, por vetëm nga vullneti i lirë i shqiptarëve, përballë një qeverie që e cilësoi fatkeqësi kombëtare.

“Të gjithë bashkë hymë në këtë betejë të pabarabartë, me programin më të mirë të hartuar në historinë e këtyre 30 viteve, fryt dhe prodhim i ekspertëve më të aftë të vendit dhe bashkëpunimit me institutet dhe institucionet prestigjioze të Perëndimit. Fryt i viteve të punës së bazuar mbi studime të gjendjes reale që e kemi prekur bashkë shtëpi më shtëpi, fshat më fshat, qytet më qytet, sipërmarrje në sipërmarrje me të gjitha grupet e interesit, në bashkëpunim të thellë dhe të hapur me të gjithë grupet shoqërore, me të papunët, me fermerët, me sipërmarrjen e vogël, me sipërmarrësit e mëdhenj, me prodhuesit, me eksportuesit, me mjekët dhe personelin shëndetësor, me arsimtarët, pedagogët dhe studentët, artistët dhe intelektualët, me elitën e mendjes dhe shpirtit të këtij vendi, me personat me aftësi të kufizuara, me të përndjekurit politikë dhe shoqatat e pronarëve që u bashkuan për herë të parë ndër vite me përfaqësuesit e tyre në selinë e Partisë Demokratike përmes programit tonë.

Një program i detajuar, me angazhime konkrete, për çdo sektor të shoqërisë, që vendosi gishtin tek plagët e shumta të vendit, që ofronte zgjidhje për të çliruar potencialin e çdo shqiptari, që çlironte dhe zhvillonte potencialin e Shqipërisë, të ndrydhur, të mpakur, të boshatisur, të ngecur në vendnumëro në 8 vite nga një fatkeqësi kombëtare që e quan veten qeveri. Një program që ka në qendër familjen shqiptare, si shtylla e politikave tona; një program që synon forcimin e shtresës së mesme, si motori i zhvillimit dhe i transformimit të shoqërisë, sepse një shtresë e mesme e fortë është garante e stabilitetit ekonomik dhe politik të vendit. Për një politikë për njerëzit. Hymë në këtë betejë pa asnjë pushtet por vetëm me bashkimin tonë. Përkundër makinerisë gjigante, qytetarët na besuan.

Besimi u faktua në betejat që kemi bërë për interesin publik, betejat tona kanë qenë të drejta. Kemi qenë dhe jemi zëri i njerëzve dhe koha na ka dhënë të drejtë. Kemi denoncuar planin për kthyer Shqipërinë në Kolumbi, vranë garën e ndershme me miliona euro të krimit. Jemi ne që luftuam kundër kriminalizimit të politikës, ne se veshim kriminelin me kostum dhe ta fusim në bashki. Ne e dimë që kur ky tumor hapet në të gjithë trupin, pushteti s’u përket qytetarëve por ortakëve të Edi Ramës."