Shpërndante lëndë narkotike dhe i gjendet kallashnikov në shtëpi, arrestohet 18-vjeçari në Mirditë
Një 18 vjeçar është arrestuar ditën e sotme në Mirditë, pasi është kapur duke shpërndarë lëndë narkotike në doza të vogla.
Policia bën me dije se në pranga ka rënë shtetasi K. N, banues në Mirditë, ndërkohë gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan edhe një armë zjarri kallashnikov me një krehër me 30 fishekë luftarak.
“Në zbatim të Planit të Masave të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit “Për kontrollin e territorit, parandalimin e ngjarjeve kriminale, kapjen e autorëve të veprave penale, personave që mbajnë armë zjarri pa leje dhe personave në kërkim”, gjatë kontrolleve të ushtruara në gjithë qarkun Lezhë, specialistët e Seksionit të Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Mirditë arrestuan shtetasin K. N., 18 vjeç, banues në Mirditë.”- njofton policia.
Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprat penale “Armëmbajtja pa leje” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”

