Dhunuan gjyqtarin në ambientet e brendshme të Gjykatës, jepet masa e sigurisë për tre vëllezërit Myslimi

Iu drejtuan gjykatës për të kërkuar të drejtën e pronës, por përfunduan në të pandehur.

Të shtunën Gjykata e Vlorës ka lënë në qeli Fatosh Myslymin, ndërsa ka dhënë masën e sigurisë “arrest shtëpie” për dy vëllezërit e tjerë Myslym dhe Elmaz Myslymin.

Vendimi është pritur ashpër dhe me akuza nga familjarët e tre vëllezërve.

“Shtet që të merr pronën dhe të fut brenda ky është”

Të tre u përplasën të enjten me gjyqtarin Arqile Basho pas seancës, teksa ky i fundit nuk vendosi në favor të tyre.

Përballja me drejtësinë e këtyre familjeve ka nisur në vitin 2010, ku ata vendosën të shkëmbejnë pronat e tyre me dy firma ndërtimi.

“Përkatësishtt firma “Trial SHPK”me administrator Kreshnik Tepelena, i cili sot është nën drejtor i Portit të Vlorës, administratorë i firmës ndërtuese që ne kemi lidhur kontratë shkëmbimi është edhe Z. Adem Shehaj. Pronat tona janë shitur nga administratorët e firmës nga dy tre herë.”

Përveç administratorëve, anëtarët e familjes Myslymi akuzojnë edhe noterët, prokurorët e gjyqtarët që janë marrë me këtë çështje.

“Në gjyq, nuk duhet të jetë xhaxhai im, nuk duhet të jetë në arrest shtëpie prindërit e mi, por duhet të jetë noterja e cila ka kryer një kontratë noteriale të dyfishtë, duhet të jetë gjyqtari, që ka dhënë atë lloj vendimi, duhet të jetë prokurori.”

Edhe pse kanë 11 vite që enden dyerve të gjykatave, ata thonë se nuk do të ndalen deri sa të gjejnë të drejtën, madje njoftuan se do të dorëzojnë edhe kallëzim në SPAK.