“Policia u bashkua me regjimin”, Basha rendit arsyet e humbjes: Ne dolëm nga 25 prilli me kokën lart
Kryedemokrati Lulzim Basha, në mbledhjen e Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, renditi arsyet e humbjes në 25 prill, duke e cilësuar si betejë të pabarabartë.
Basha ka falënderuar të gjithë anëtarët dhe kandidatët e PD-së, duke thënë se forca e tyre politike doli me kokën lart.
"Keni parë sesi drejtori i policisë u bashkua me regjimin teksa mashtronte pa u skuqur për Elbasanin. Kemi parë si aleanca e Ramës me krimin vazhdon dhe vazhdon të jetë e pandikuar por vazhdon të përdorë trafikantët si patronazhistë, si rasti i zjarrfikësit në Tiranë. Kemi parë si u ngritën nga hiçi njerëz pa asnjë kontribut por me muskuj si rasti i djalit të Ortakut të Edi Ramës, talente të panjohura që shpërthyen jashtë çdo logjike. Ose si Taulant Balla doli deputeti më i votuar.
Kundër parave për vota, lejeve të legalizimeve për vota, mbylljes së kufijve, PD doli me kokën lart, ne dolëm më të fortë dhe më të bashkuar, ne luftuam me mish e shpirt. Nuk hoqëm dorë nga mjetet tona për të bërë politikë të ndershme, nuk u joshëm as nga oligarkët. Ne mund dhe besojmë se mund ti bëjmë gjërat jo si Edi Rama. Ishim ne që nxorëm në pah llumin e Edi Ramës, ishim ne që dolëm me program. Dua ti falenderoj të gjithë demokratët dhe t’ju them jam krenar për ju. Për mua është privilegj të luftoj me ju për një parti që ka shkruar faqet më të bardha të historisë."- tha Basha.