Dibër/ Lejoi ndërtimet pa leje, arrestohet ish kryeinspektori i IMT-së, Xhaka ishte shpallur në kërkim
Ish-kreu i Inspektoratit Vendor të Mbrojtjes së Territorit në bashkinë Dibër, Ermal Xhaka, 37 vjeç, është vënë në pranga këtë të shtunë nga policia.
Ai akuzohet se ka shpërdoruar detyrën duke lejuar shfrytëzimin e një hapësire publike në pronësi të bashkisë për ndërtim të paligjshëm.
Një ditë më parë Xhaka ishte shpallur në kërkim në kuadër të operacionit ‘Inspektorati’, kur u ndaluan 4 persona dhe u ndoqën penalishte 3 të tjerë, për të njëjtën akuzë.
Personat në fjalë dyshohet se nuk i kanë kryer kontrollet sipas ligjit dhe kanë përpiluar akte administrative fiktive.
Të enjten Gjykata e Tiranës caktoi masën e sigurisë “detyrim paraqitje” për kreun e IMT në Bashkinë e Tiranës, Mariglen Qato.

Qato vijon të jetë nën hetim nga Prokuroria, e cila kishte kërkuar për të arrest me burg. Kreu i Inspektoriatit Ndërtimor Tiranë është kallëzuar penalisht në Prokurorinë e Tiranës në maj të vitit të kaluar nga disa familje në zonën e Kombinatit që deklarojnë se po u merret prona në rrugë antiligjore në emër të një investimi publik që Bashkia ka nisur të kryejë në këtë zonë.

