Sulmuan gjyqtarin pas seancës për pronën, arrestohen tre vëllezër në Vlorë

Një incident i rëndë ka ndodhur në gjykatën e Vlorës ku tre vëllezër sulmuan gjyqtarin Arqile Basho pas përfundimit të seancës për konfliktin e pronësisë lidhur me një apartament. Në pamjet e siguruara nga Ora News shihen momentet e gjyqit, por edhe sulmi ndaj Bashos brenda gjykatës ndërkohë që kolegët e tij kanë reaguar duke dënuar ngjarjen. Trupa gjyqësore e Vlorës kërkon zbardhjen e rastit dhe ndëshkimin e autorëve në mënyrë që incidente të tilla të mos përsëriten.

Këto janë pamjet e sulmit ndaj gjyqtarit të Vlorës, Arqile Basho, nga tre vëllezër.

Seanca për zgjidhjen e konfliktit të pronësisë së një apartamenti, është mbyllur me debate dhe akuza të vëllezërve Myslimi ndaj gjyqtarit.

Pasi gjykatësi doli nga salla e gjyqit, Myslym, Fatos dhe Elmaz Myslimi e ndoqën nga pas atë, ndërsa në korridorin e gjykatës e sulmojnë fizikisht dhe verbalisht.

Policia e Vlorës menjëherë pas ngjarjes ka arrestuar në flagrance tre autorët.

Në lidhje me sulmin kanë reaguar edhe kolegët e gjyqtarit, të cilët dënojnë ngjarjen dhe shprehin mbështetjen ndaj Arqile Bashos.

"Për nga natyra e vet, veprimtaria gjyqësore shkakton pakënaqësi ndaj njërës apo tjetrës palë, por në një shtet të së drejtës, mjeti ligjor për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është ankimi në një gjykatë më të lartë, sipas legjislacionit në fuqi, jo dhuna verbale apo fizike ndaj magjistratit".