Berisha: Masa emergjente për të parandaluar krimin në familje
Seanca e sotme plenare është shoqëruar me debate gjatë diskutimit të projektligjit për dhunën ndaj grave. Kreu i qeverisë, duke kërkuar votimin e kësaj konvente ka theksuar se qeveria është e angazhuar të bëjë gjithçka për të rrëzuar murin e patriarizmit duke nisur që nga ngushtimi i diferencës gjinore në pagë e deri në masat më strikte në legjislacion për të parandaluar fenomenin e dhunës ndaj femrës.Kryeministri Berisha gjithashtu ka kërkuar masa emergjente për të frenuar dhunën në familje ndërsa pranoi se krimi në familje ka pësuar rritje në Shqipëri.“Dënimet ndaj këtij krimi janë simbolike në vitet e para. Nuk është më kjo situatë edhe drejtësia ka reflektuar. Ligjvënësit mund të përcaktojnë ligje dhe rregulla të kenë efektin maksimal parandalues. Krijimin e një plani në mbrojtje të nënave nga një agresion barbar i pamerituar” tha Berisha.Pas tij ka reaguar kreu i grupit parlamentar të PS-së, Gramoz Ruçi, duke theksuar se ajo është e rëndësishme dhe PS do të japë votën e saj.“S’kam vërejtje për ato që the, ti the debatin ta bëjmë konkret, po zoti kryeministër, atëherë meqë kemi ratifikimin e kësaj konvente, ju duhet të thoshit pse maxhoranca që ti drejton raporti grua burrë në grupin tënd është 1-9, pse në qeveri ky raport është 1-15, pse raporti në qeverinë tënde në 40 zv/ministra ke vetëm 6 zv/ministre, meqë janë shumë të zgjuara gratë, se sapo e the, pse në drejtoritë e ministrive drejtoreshat gra numërohen me gishta, pse gratë në administratë si numër janë kur thërret qameti, pse në lumin e të papunëve shqiptarë 80% e tyre janë gra?”- tha Ruci.Berisha, duke reaguar pas Ruçit theksoi se ai shtroi cështje që qëndrojnë dhe që janë në shqyrtim për zgjidhje. “Disa janë ashtu si tha, të tjera të informohet më mirë se në tërësi në administratë zonjat janë maxhorancë, kjo është e vërteta, por a do të thotë kjo që situata është e pranueshme, jo, duhet të bëjmë përpjekje të mëdha që të ecim duke rrëzuar murin e patriarkisë”- tha ai.