Haxhinasto-Mustafayev: Mbështetje për projektin e gazsjellësit TAP

Zv.Kryeministri dhe ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Edmond Haxhinasto, priti sot në një takim ministrin për Zhvillimin Ekonomik të Azerbajxhanit, Shahin Mustafayev.Ministri Haxhinasto theksoi gjatë takimit se, marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit po zhvillohen në një klimë të përshtatshme bashkëpunimi dhe kjo vizitë do t'i shërbejë krijimit të partneriteteve të reja në sektorin ekonomik mes dy vendeve.Haxhinasto dhe ministri i Azerbajxhanit ndanë të njëjtin mendim se marrëdhëniet politike mes dy vendeve janë shumë të mira dhe ranë dakord se niveli i marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve duhet të rritet akoma dhe më shumë.Një ndër temat kryesore të diskutimit mes ministrit Haxhinasto dhe ministrit Mustafayev ishte dhe projekti i gazsjellësit Trans Adriatic Pipeline (TAP), ku të dy bashkëbiseduesit u shprehën në mbështetje të tij.Zv.Kryeministri tha Shqipëria mbetet e hapur që në kuadër të ndërtimit të infrastrukturave të rëndësishme të gazifikimit në vend të mirëpresë investitorët nga Azerbajxhani që kanë një ekspertizë të madhe në këtë drejtim."Tregu i gazit në vendin tonë ka potenciale të mëdha dhe kompanitë azere janë të mirëpritura në Shqipëri", tha Haxhinasto.Ministri i METE prezantoi disa nga sektorët e ekonomisë shqiptare, me mjaft interes për investitorët azerë, si sektori energjetik, turizmi, infrastruktura, etj.Haxhinastoi ftoi investitorët e Azerbajxhanit të vijnë në Shqipëri dhe të investojnë në ndërtimin e hidrocentraleve, duke përmendur se shumë shpejt do të hapet tenderi për ndërtimin e hidrocentraleve mbi kaskadën e lumit Vjosë dhe tenderi për hidrocentralin e Skavicës.Gjithashtu, ministri i METE ftoi investitorët e Azerbajxhanit të marrin pjesë në procesin e privatizimeve në Shqipëri, ku përmendi edhe privatizimin e hidrocentraleve.Ministri për Zhvillimin Ekonomik të Azerbajxhanit, Shahin Mustafayev, pasi shprehu falënderimet dhe mirënjohjen e tij për pritjen, tha se Azerbajxhani e sheh Shqipërinë si një vend që paraqet shumë mundësi për të investuar dhe shprehu interes për investime në fusha si, energjetika, infrastruktura, bujqësia, tregtia etj.Gjithashtu në takim u ra dakord që qeveritë e të dy vendeve të punojnë për plotësimin e mëtejshëm të kuadrit ligjor të bashkëpunimin ekonomik mes Shqipërisë dhe Azerbajxhanit.Ministrat Haxhinasto dhe Mustafayev ndanë të njëjtin qëndrim për nxitjen e komunikimit dhe shkëmbimit reciprok të informacioneve lidhur me projekte dhe mundësi konkrete për investime të dy vendeve, si dhe për shkëmbimet tregtare dypalëshe në të ardhmen