Debati me Topallin, Oketa: Të mungon dëshira të flasësh në Kuvend
Deputeti Gazmend Oketa ka reaguar pas debateve në sallën e Kuvendit me kryetaren Jozefina Topalli.Duke folur në një prononcim për mediat, deputeti Oketa theksoi se debati kishte të bënte me heqjen e fjalës së një deputeti të Shqipërisë.“Të mungon dëshira të flasësh brenda asaj salle për vetë mënyrën sesi funksionon Kuvendi i Shqipërisë. Unë e kërkova fjalën për ti kërkuar Parlamentit të respektojë kujtimin e Lirak Bejkos, i cili kaloi shumë vite i persekutuar nga regjimi komunist por jeta e tillë ishte shkruar që në këtë të ashtëquajturën demokraci shqiptare të vazhdonte të persekutohej. Topalli i qëndron deklaratës së saj që nuk ka komente për të përndjekurit politik, kërkesat e tyre. Unë kam mbajtur qëndrimet e mia kur jam larguar nga grupi i PD dhe kam përgatitur për gjithçka, kam kuptuar se një frymë e tillë funksionon aty, ka vite që ka funksionuar” tha Oketa.Sa për akuzën e Topallit se ka pasur një xhaxha me komisionin e internimeve , Oketa është përgjigjur se këto janë gjëra të thjeshta për t’u vërtetuar.“Maxhoranca të hapë dosjet që nga kryetarja e vet. Nuk bie pre e këtyre lojerave politike. Meqë më përmendi Durrësin, unë jam votuar edhe për shkak të mbiemrit dhe respektit që durrsakët kanë për familjen Oketa. Ajo të hapë dosjet duke nisur nga vetja, kryeministri, kryetari i opozitës dhe të përqendrohet në grupin që ajo përfaqëson” tha Oketa.Më herët Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli duke iu drejtuar deputetit Oketa theksoi: " “Kam unë një pyetje për ty, zoti deputet. Xhaxhai yt mos ka qenë kryetar i komisionit të dëbim internimeve? Kaq kam unë. Përgjigjen jepja qytetarëve të Durrësit. Unë kam dosjen ti më kallzon mua”.