Basha: Bëjmë realitet ëndrrën studentore të 45 të rinjve

Kryebashkiaku Lulzim Basha u ka dhënë mundësinë 45 të rinjve në Tiranë të vazhdojnë studime master në universitetet e vendit. Studentët i kanë dërguar email Bashës ku i kanë treguar për pamundësinë ekonomike për të vazhduar studimet pasuniveristare dhe  kryebashkiaku ka vendosur kontaktet me 3 universitete private në Tiranë nga ku dhe u mundësua studimi për ta."Këta të rinj ndajnë me Bashkinë e Tiranës dhe me mua si Kryetar i Bashkisë, një partneritet që nis udhëtimin sot, me fillimin e studimeve për ta por që do të vazhdojë gjatë gjithë kohës së studimeve, në formën e stazheve, bashkëpunimeve të ndryshme  dhe shpresojmë shumë, edhe pas përfundimit të studimeve, në shanset që do u ofrohen për punësim, pasi ju e dini që përpjekja kryesore e Bashkisë së Tiranës është e orientuar nga rritja ekonomike dhe hapja e vendeve të punës, me qëllim kryesor rritjen e mirëqënies dhe veçanërisht shanset për punësim, për rininë e kryeqytetit" tha Basha.I pyetur për Kartën e Studentit, Kryebashkiaku Lulzim Basha ka bërë të ditur se aktualisht janë shpërndarë 1000 karta, nga 1200 aplikime."Procesi i aplikimit dhe i marrjes së Kartës është falas, kapacitetet prodhuese të Kartës janë të plota dhe gjatë muajve të verës, ne kemi përfituar për të nënshkruar një numër marrëveshjesh me zinxhir supermarketesh, me operatorë financiarë, banka, besoj së shpejti edhe me rrjetin e parë të telekomunikacionit celular dhe besoj se kjo do i hapë rrugë edhe hapit tjetër, përfundimit të procesit, pse jo me të gjithë bankat e nivelit të dytë, me të katër operatorët celularë dhe me një numër edhe më të madh rrjetesh tregtare në qytetin e Tiranës. Të gjithë institucionet publike që janë kontaktuar kanë dhënë diskonto të ndryshme, deri edhe në hyrje, pra procesi ka nisur mirë, po ecën mbarë dhe jam i bindur që me një ndërgjegjësim më të madh të studentëve dhe aplikime pranë pikave të aplikimit, ne do të mund të përmbyllim procesin me të gjithë parametrat e premtuar"  theksoi z. Basha.Kryetari i Bashkisë u bëri thirrje të rinjve, të aplikojnë për të përfituar nga lehtësirat që krijon të pasurit e një karte, sikundër garantoi se së shpejti do të nënshkruhet marrëveshje edhe me universitetet private, për Kartën e Studentit.