Daja: Ka presion për rezultat te Partizani, nuk lejohen gabime

Partizani dhe Vllaznia janë dy ekipet e tjera nga Kategoria Superiore që nesër do të zbresin në fushë në raundin e parë eliminator të Conference League. Teksa shkodranët do të angazhohen në Bosnje, Partizani do të luajë në “Elbasan Arena” ndaj një ekipi modest si Sfintul dhe për trajnerin Daja, të kuqtë duhet të bëjnë sa më mire që të dalin me fitore nga fusha.

Trajneri i Partizanit, analizoi gjendjen e skuadrës, ndeshjen ndaj moldavëve, presionin dhe në fund edhe për largimin e Ferhan Hasanit.

“Mendojmë se Sfintul është një ekip që ka një ekuilibër goxha të mirë në fushën e lojës. Ndoshta nuk ka kualitetet që bëjnë diferencën, por ajo që është më e rëndësishme është fakti që luajnë të 11-të grup në të dyja fazat e lojës.  Natyrshëm që nuk pretendojmë të jemi të plotë, pasi nga formacioni i vjetshëm është kapiteni Alban Hoxha, Belica dhe Bardhi, të cilët kanë qenë titullarë. Jemi përforcuar me disa blerje që i janë afruar grupit jo më shumë se 15-20 ditë. Ka një mangësi, pasi futbollistët pas mbarimit të kampionatit nuk kujdesen për kondicionin fizik. Të gjitha këto na bëjnë që në manovër të përdorim një formë tjetër që të jemi rezultativ”.

Sa do të ndikojnë në skuadër ndryshimet e shumta?

“Po t’i referohemi mbrojtjes, ka mbetur vetëm Belica. Të tria afrimet nuk kanë qenë me grupin vjet. Gligorov është afruar vetëm para një jave dhe ky është reparti që kemi më shumë probleme. Gjithsesi mendoj se edhe në repartet e tjera do ishte më mirë të kishim edhe dublime, që të bëjmë zëvendësime në kohën e duhur dhe lojtarët të luajnë në pozicione natyrale. Gjithsesi është një ekip që do luftojë dhe do përfaqësojë Partizanin në sezonin e ardhshëm. Do përforcohemi edhe në vazhdimësi. Pastaj kemi disa lojtarë nën 21 vjeç, lojtarë me perspektivë që mendoj se shumë shpejt ndonjë mund të luajë në formacion".

Ndryshimi i rregullit të golit jashtë fushe?

"Në short Partizani duhet ta luante jashtë ndeshjen e parë dhe të dytën në Elbasan. Ka një bonus për ekipin kundërshtar, nëse ndeshja shkon në shtesë, referuar faktit që goli në fushë kundërshtare nuk vlen si më parë, ka më shumë minuta në fushën e vet, ku do ketë mbështetjen e tifozëve. Me shortin që u hodh do e kishim ne atë favor. Gjithsesi do mundohemi, që pavarësisht se e dimë që kualifikimi vendoset në ndeshjen e dytë, të bëjmë sa më mirë të jetë e mundur në këtë ndeshje.

Jeni në presion për kualifikimin?

Të jesh trajneri i Partizanit gjithmonë je në presion. Sigurisht që në presion për rezultate, jo presion tjetër. Jam trajner që kam qenë në ekipe që kanë pasur presion. Këtë presion duhet t’ua heqim lojtarëve, pasi 4-5 prej tyre luajnë ndeshjen e tyre të parë dhe kanë presion të shtuar. Do mundohemi të fokusohemi te veprimet e ndeshjes, që ta ulim presionin në prezantim në Conference League".

Rikthimi tifozëve në stadium?

"Na ka munguar prania e shumtë e tifozëve. Kanë qenë edhe vjet në mbështetje, pasi edhe vjet e kanë gjetur mënyrën e tyre t’i qëndrojnë ekipit afër. janë lojtari i 12-të i Partizanit, pasi dihet që janë të shumtë jo vetëm në Tiranë, por në gjithë Shqipërinë. Është një suport i madh për ne. Nesër duhet të gëzojnë dhe vuajnë bashke me ne, gjatë 90 minutave".

Ferhan Hasani?

"Kur ndërpret një lojtar kontratën me një klub nuk kemi dëgjuar gjë tjetër veçse e ka fajin trajneri i parë. Në fund fare për këtë marrëdhënie është në klub, çdo lojtar, pra për marrëdhënien tekniko-taktike, për të përfaqësuar klubin. Uroj që të ketë suksese në vazhdimësi. Një ditë para ndeshjes jam i përqendruar te grupi aktual, nuk shoh mbrapa", perfundoi trajneri i te kuqve, Ilir Daja.