Teuta zhgënjen në Champions, Sheriff Tiraspol e dominon 4-0 në “Niko Dovana”
Kampionët e Shqipërisë, ashtu edhe si skuadrat e tjera shqiptare që luajtën një ditë më parë në kupat e Europës, zhgënjeu por rezultati ishte tepër i thellë.
4-0 ishte rezultati i takimit të parë të raundit eliminator në Champions League, në “Niko Dovana” për moldavët e Sheriff Tiraspol të cilët dominuan në çdo aspekt skuadrën e drejtuar nga Edi Martini që gjithsesi pritej diçka më shumë nga të gjithë.
Që në minutën e 14’, miqtë zhbllokuan sfidën me golin e Luvanor i cili ishte në një pozicion të dyshimtë por për arbitrin gjithçka “ok”.
Durrsakët përpiqen të reagojnë por ende pa mbaruar pjesa e parë, në 45+1’, sërish Luvannor gjeti rrjetën teksa i vetëm përballë Frashërit nuk gaboi.
Teuta rikthehet në fushë në pjesën e dytë me synimin për të gjetur golin që mund të ndizte shpresat por sërish, Sheriff Tiraspol gjen golin e tretë që i jep goditjen përfundimtare kampionëve të Shqipërisë, në 56’ me Traore.
Minutat në vazhdim flasin për durrsakët që me Seferin dhe Bregun i afrohen golit të nderit dhe nuk ia dalin. Gjithsesi Sheriff Tiraspol i lejon vetes të shënojë dhe një tjetër gol në 89’ me Castaneda dhe mund të themi që Teuta është e eliminuar nga Champions League që në raundin e parë edhe pse do të luajë kthimin në Moldavi.
