Mbrëmje për t’u harruar për ekipet shqiptare në Europë, humbet edhe Laçi

Ndryshe nga Prishtina dhe Shkëndija e Tetovës të cilët luajtën në raundin e parë eliminator të Champions League, Laçi debutoi sonte në Conference League dhe nuk shkoi ashtu siç duhej.

Ekipi kurbinas u ndesh në takimin e parë me fqinjët e FK Podgoricas në raundin e parë ku u mundën me rezultatin minimal 1-0 por që në fund gjërat mund të shkonin ndryshe pasi Mazrekaj humbi një penallti në frymën e fundit.

Pjesa e parë ishte e qetë dhe e balancuar edhe pse vendasit ishin disi më të rrezikshëm teksa në minutën e 57’, portiere Sherri shkaktoi një penallti duke i dhënë mundësi Vujoviç të zhbllokonte sfidën në favor të malazezëve.

Me gjithë përpjekjet e mëdha, Laçi në minutat e fundit shënon një gol me Roganoviç por që u anullua për poziicion të parregullt. Nuk mbaron këtu pasi në minutën e 95’ pak para mbylljes së takimit, kurbinasit fitojnë një penallti dhe nga pika e bardhë, Mentor Mazrekaj gjuan por pritet nga portieri malazez.

Mbyllet kështu në mënyrë të pafatë ndeshja për Laçin që në ndeshjen e kthimit duhet të fitojë me çdo kusht për të avancuar më tej në Europë.