Italia është finalistja e parë e EURO 2020, fiton me penallti dhe eliminon Spanjën

Italia është skuadra e parë finaliste e Kampionatit Europian të futbollit. Në “Wembley”, skuadra e Mancinit mundi mes shumë vuajtjeve Spanjën falë penalltive teksa 120 minuta lojë u mbyllën 1-1.

Në “Wembley” ishte një gjysmëfinale jashtëzakonisht e luftuar nga të dyja skuadrat dhe që të dyja ekipet nisën të krijonin raste për të shënuar.

Oyarzabal në 13’ dhe Ferran Torres në 15’ dhanë sinjalet e para për “La Rojan” ndërsa Italia nuk vonoi të përgjigjej me Emerson në 22’ ku jep një pasim për Barellan me portë bosh nuk gjuan dot.

Spanja qarkullon më mire topin teksa në 25’, Donnarumma shmang golin e Dani Olmo me një pritje të mrekullueshme teksa ndeshja bëhet shumë e ndezur dhe emocionuese.

Edhe pse Spanja që insiston me lojë, është sërish Italia që me Emerson arrin të depërtojë në zone dhe me një gjuajtje trondit traversën, e pafatë Italia.

Pjesa e dytë është edhe më e zjarrtë teksa Immobile tregohet menjëherë i rrezikshëm në 54’ me një tentativë nga distanca ndërsa menjëherë në 54’ Ferran Torres që mori një kros nga Olmo por Di Lorenzo e spastroi me portën bosh.

Skuadra e Luis Enriques insiston me qarkullimin por të parët që shënojnë janë të kaltërit me Chiesan në 60’ ku në një kundërsulm të shpejtë, lojtari me një diagonal nga jashtë zone mposht Unai Simon.

1-0 për Italinë që duket sikur goli i bën të tërhiqen më mbrapa dhe Spanja që rrit presionin teksa Alvaro Morata që futet në lojë në 63’ gjen barazimin në minutën e 82’ pas një kombinimi të bukur me Dano Olmo. 1-1 dhe skuadrat detyrohet të shkojnë në 30 minuta shtesë me dy pjesë.

Janë emocione të forta edhe shtesat e lojës ku si Spanja edhe Italia, që duken të lodhura mund të shënonin por nuk ia dolën dhe në fund vendosën penalltivë.

 

Locatelli gaboi menjëherë të parën, e njësoj edhe Dani Olmo e humbi për Spanjën. Belotti shënon, ashtu si Moreno, Bonucci realizon, Thiago Alcantara gjithashtu. Bernardeschi realizoi për të kaltërit, Morata gabon teksa në fund është Jorginho që çon Italinë në finalen e madhe të Europianit.