Mancini: Shumë e vështirë. Nuk luajtëm mirë dhe ende nuk ka mbaruar

Me këmbë në tokë si gjithmonë u shfaq Roberto Mancini në komentin e shpejtë në fund të ndeshjes me Spanjën ku Italia fitoi falë llotarisë së penalltive.

Trajneri italian e pranon se loja e tyre nuk ishte në nivelin duhur por me rëndësi ka kualifikimi.

"Këto janë penalltitë. Ndeshje shumë e vështirë. Spanja është një ekip i madh dhe ata luajnë shumë mirë. Ne nuk bëmë një ndeshje të mirë, jo si zakonisht por e dinim se do të duhej të vuanim."

Zgjedhja e Luis Enrique për të mos luajtur me qendërsulmues?

"Ata na vunë në vështirësi në fillim dhe më vonë gjetëm koordinatat e duhura dhe nuk rrezikuam shumë. Ishte një ndeshje shumë shumë e vështirë."

Ndeshje e fituar alla italiane?

"Skuadrat e futbollit sulmojnë dhe mbrohen. Ne patëm mundësi të shënonim gola si ata. Ishte një ndeshje mes dy skuadrave të mëdha dhe shumë të forta."

Meritat e Mancinit?

"Meritat janë të djemve, por nuk ka mbaruar ende. Ne duhet të rikuperojmë forcat që mbetën dhe të luajmë finalen e madhe”, përfundoi trajneri i të kaltërve.