Prezantohet Inzaghi: Sfidë e madhe, Interi do të mbrojë titullin

Simone Inzaghi nis zyrtarisht aventurën si trajneri i ri i Interit. Ish trajneri i Lazios u prezantua para shtypit si timonieri i zikaltërve ku do të ketë misionin e rëndë që të pasojë Antonio Conten i cili arriti të fitonte titullin pas shumë vitesh.

Bashkë me të në konferencën për shtyp ishte edhe Administratori, Beppe Marotta i cili fillimisht shpjegoi se projekti i Interit vazhdon me Inzaghin dhe se situata nuk është shumë e mirë për shkak të pandemisë që ka tronditur anën financiare të klubit.
Më pas, Inzaghi foli dhe u përgjigj lidhur me aventurën e re, objektivat, merkaton dhe Hakimin.

Dita e parë si interist?

"Ka një entuziazëm të madh për këtë aventurë të re. Unë kam motivime të mëdha, e di se do të jetë një punë e rëndësishme dhe është një sfidë e bukur. Më bindën menjëherë duke provuar për disa ditë një dëshirë të madhe për të më afruar këtu. Me stafin tim ne e dimë se do të gjejmë një grup të fortë, një shoqëri të fortë dhe shumë tifozë të ngrohtë që do të jenë afër nesh gjatë gjithë sezonit "

Bisedimet për stolin

"Kam gjetur disa njerëz te Interi që më bëri të kuptoj që më dëshironin me çdo kusht. E pranova këtë sfidë të re, stimuluese, unë e di se do të ketë vështirësi, sepse ne do të kemi scudetton për të mbrojtur dhe shumë skuadra përpara që janë gati për të luftuar. Unë gjej rastin për të përgëzuar klubin dhe Conten që arriën këtë titull të pritur për një kohë të gjatë nga të gjithë”.

Merkato, grupi dhe Objektivat

"Shumë pak klube deri më tani kanë lëvizur. Merkato është e gjatë dhe është një moment delikat për të gjitha ekipet. Unë e dija Hakimi do të largohej, por klub më premtoi se ekipi do të mbetet konkurrues dhe i fortë si vitin e kaluar. Ne bisedojmë me drejtuesit çdo ditë dhe ne e dimë se ku duhet të ndërhyjmë. Ne duam të mbrojmë titullin që sapo kemi fituar dhe për të bërë një udhëtim më të mirë në Champions League. Që prej vitit 2010/2011 që Inter nuk shkon në 1/8 e këtij kompeticioni."


Lukaku dhe Eriksen

"Me Romelun kam biseduar disa herë. Tani ai ishte i zhgënjyer për eliminimin me Belgjikën, është një lojtar shumë i rëndësishëm, një garanci për ne dhe e tregoi atë në fushë. Me Eriksen kam biseduar para Evropianit ndërsa më pas jo. Më vjen keq për atë që ndodhi sepse kisha shumë besim tek ai. Klubi i ka dhënë gjithçka që ai ka nevojë dhe tani duhet të qëndrojë i qetë dhe të marrë kohën e tij . Unë do të pres atë me krahët e hapur. Ndërkohë drejtuesit vepruan mirë që zgjodhën momentin në afrimin e Calhanoğlu."

Presioni

"Në Romë ishte një palestër e bukur. Për ata që e bëjnë këtë punë presionet janë të përditshme dhe më pëlqen. Më pëlqen sfidat, përndryshe nuk do ta kisha pranuar këtë. Unë e di që do të kem mbështetjen e klubit, kemi një marrëdhënie të mrekullueshme. Ne e dimë se do të ketë vështirësi, do të ketë shumë ekipe të gatshme për të na vënë shkopin nën rrota por do të duhet të jemi kompaktë dhe të përpiqemi të përfitojmë nga vështirësitë për të dalë edhe më të fortë."

Sakrifica të tjera pas Hakimit?

"Lojtarët e tjerë të rëndësishëm më kanë thënë se do të mbeten, ne duhet të bëjmë disa afrime. Në mënyrën time të bërjes së futbollit, lojtarët e krahut janë shumë të rëndësishëm. Së bashku me klubin, pa nxitim, ne do të kërkojmë zgjidhje".

Kryefjala e Inzaghit ishte se do të bënte maksimumin për t’i dhënë vazhdimësi një skuadre që fitoi titullin teksa në fund u shpreh se e di edhe rëndësinë e derbit duke garantuar se zikaltërit do të bëjnë të pamundurën për të fituar çdo ndeshje.