Shkëndija e Tetovës nuk ia del, humbet takimin e parë me NS Mura

Ishte një mbrëmje për t’u harruar për Shkëndijën e Tetovës që u mund me rezultatin minimal 1-0 në Shkup nga kampionët e Sllovenisë. Në raundin e parë eliminator të Champions League, për ekipin shqiptar të Maqedonisë së Veriut, Aventura nuk nis në mënyrën më të mire teksa skuadra bëri mirë por nuk arriti të paktën ta mbyllte me një barazim.

Nuk munguan rastet për gol, e madje as penalltitë por kuqezinjtë gabuan shumë në fushë edhe pse e nisën mjaft mirë takimin ku Alimi dhe Ibraimi kishin disa raste me gjuajtje nga larg.

Në minutën e 28’, vjen episodi që vulosi ndeshjen teksa mbrojtësi Krivak shkakton një penallti të shndërruar në gol nga Bobicanec.

Kur skuadrat po bëheshin gati për të shkuar në dhomat e zhveshjes, Shkëndija ka rastin më të mire për të barazuar me një penallti të fituar por sulmuesi Ibraimi e nxjerr në mënyrë të pabesueshme jashtë.

Në pjesën e dytë, skuadra e Ernest Gjokës bëri të pamundurën edhe pse u pane shenja nervozizmi për shkak të rezultatit që gjithsesi mbeti 1-0 dhe në ndeshjen e kthimit tashmë duhet një Shkëndijë heroike që të fitojë me çdo rezultat për të avancuar më tej.