Brdariç karikon Vllazninë: Europën e merituam, mund të jemi kompetitivë

Thomas Brdariç bëri daljen e parë publike që pasi rinovoi kontratën me Vllazninë edhe për një sezon dhe tani ka përpara një sfidë të madhe, atë të Conference League. Të enjten, Vllaznia do të luajë në Bosnje ndaj Siroki Brijeg dhe për trajnerin skuadra ka të gjitha mundësitë për të bërë mirë.

"Jemi gjithmonë gati, pasi na pëlqen të luajmë. Kemi shumë pritshmëri, por duhet të jemi të kujdesshëm, pasi është një eksperiencë e re për secilin prej nesh. Duhet të jemi shumë të përgatitur, jemi gati të duelojmë me Siroki Brijeg. Do të jetë një ndeshje e bukur.Kemi punuar si profesionistë që prej ditës së parë. I kam dhënë lojtarëve të mi më të mirën, për t’i kuptuar se si do luhet loja dhe si duhet arritur vëmendja se si një profesionist duhet të ketë për çdo ndeshje".

Lidhur me aventurën europiane, Brdariç është i bindur se skuadra e meritoi të luajë në këtë kompeticion ndërsa lidhur me blerjen e madhe, Liridon Latifi tha se do ta nisë nga stoli.

"Vllaznia e meritoi rikthimin në Kupa e Europës, pasi kemi punuar shumë. Nuk duhet vetëm ta shijojmë këtë situatë ku ndodhemi, duhet të jemi shumë studiozë dhe shumë të kujdesshëm, në mënyrë që të fitojmë. Mendoj se grupi është i mirë, mund të jemi kompetitivë për këto ndeshje. Latifi? Ai do e nisë ndeshjen nga stoli, unë do fus 11 lojtarët më të mirë në lojë. Kemi mundësi të mira për të ndryshuar gjatë lojës. Gjendja fizike e tij është e mirë, por duhet të punojë më shumë që të përshtatet me ekipin. Duhet t’u japim lojtarëve të afruar më shumë kohë, disa prej tyre nuk kanë luajtur shumë, kështu që nuk mund t’i fusim direkt në lojë. Latifi është një lojtar me eksperiencë të madhe, ai ka dëshirë, ka pasion, më pëlqen shumë qëndrimi i tij."

Në fund, Brdariç ka edhe një mendim për mungesën e tifozeve dhe për rivalin boshnjak.

"Mendoj se kemi një objektiv të qartë: fitimin e çdo ndeshje. Ne na takon të kalojmë raundin e parë, por duhet ta shohim Sirokin si një kundërshtar vërtetë të vështirë, pasi vitet e fundit kanë krijuar eksperiencë në Europë. Kjo ju jep atyre një avantazh, prandaj duhet që ne të punojmë më fort se ata. Mendoja se do të kishim tifozë në këtë ndeshje, sa keq që nuk do lejohen. Jam i sigurt që do na mbështesin nga televizioni", përfundoi trajneri Brdariç në konferencën për shtyp.