Italia shqyrton ndryshimet në shërbimin ushtarak pas Francës dhe Gjermanisë, transformim militar pas 20 vitesh

Pas Francës dhe Gjermanisë, edhe Italia po shqyrton ndryshimet në shërbimin ushtarak, duke u orientuar më së shumti drejt shërbimit vullnetar.
“Një shërbim i ri ushtarak në vendin tonë, si në Francë dhe Gjermani? Nëse Parlamenti vendos, po”, tha Ministri italian i Mbrojtjes Guido Crosetto, për transmetuesin publik ‘Rai’.
“Po mendoj t’i propozoj, së pari kabinetit dhe më pas Parlamentit, pikat kryesore të një projektligji, i cili më pas mund të diskutohet dhe që mund të garantojë sigurinë e vendit tonë në vitet e ardhshme. Nuk do të ketë të bëjë vetëm me numrin e ushtarëve, por edhe me organizimin dhe rregullat”, shtoi Crosetto.
Ministri italian kishte nënvizuar dje gjithashtu se:
“Të gjitha vendet evropiane po rishikojnë modelet që kanë miratuar dhjetë deri në pesëmbëdhjetë vjet më parë dhe po mendojnë të rrisin numrin e forcave të armatosura. Secila ka një qasje të ndryshme, disa madje janë rikthyer në shërbimin e detyrueshëm. Ne në Itali duhet të merremi edhe me të gjithë çështjen në mënyrë që, në një farë mënyre, zgjedhjet e bëra në të kaluarën për të zvogëluar forcat ushtarake të mund të kapërcehen dhe të mund të ecim drejt forcimit të tyre”.
Vërehet se Italia, që nga viti 2005, ka pasur vetëm një ushtri profesionale.
E fundit që njoftoi kthimin e një shërbimi vullnetar ushtarak ishte Franca dhe më herët Gjermania.

