Anijet kthehen pas nga Izraeli! Një nga anijet e flotiljes ndalet në Qipro për arsye humanitare! Mbi 450 aktivistë pritet të kthehen në vendet e tyre

Një anije nga flotilja ndërkombëtare e ndihmave për Gazën u ankorua në Qipro pasi u ndal nga ushtria izraelite, me 21 aktivistë në bord. Ndërkohë 450 të tjerë nga rreth 40 vende pritet të deportohen në vendet e tyre.

Anijet kthehen pas nga Izraeli! Një nga anijet e flotiljes ndalet në

Një nga anijet e flotiljes ndërkombëtare që po transportonte ndihma humanitare drejt Rripit të Gazës, e ndaluar më parë nga ushtria izraelite, është ankoruar në portin e Larnakës në Qipro të premten. Pas regjistrimit të pasagjerëve, qeveria e Qipros njoftoi se u ofroi ndihmë konsullore dhe mbështetje.

Ndërkohë, Izraeli ndaloi shumicën e flotiljes prej rreth 45 anijesh që kishte si mision të çante bllokadën detare mbi Gazë dhe të dërgonte ndihma për popullsinë civile palestineze.

Më shumë se 450 aktivistë, përfshirë qytetarë nga Spanja, Italia, Suedia dhe vende të tjera europiane, u arrestuan dhe u dërguan në portin izraelit Ashdod, përpara se të transferoheshin në qendra ndalimi.

Në mesin e të ndaluarve ishte edhe aktivistja suedeze Greta Thunberg, si dhe katër deputetë italianë, të cilët janë liruar dhe pritet të kthehen në Romë.

Aktivistët e tjerë pritet të deportohen drejt vendeve të tyre të origjinës me fluturime çarter të hënën dhe të martën, sipas autoriteteve italiane dhe burimeve diplomatike europiane.

Organizatorët e flotiljes, që përfshijnë lëvizje humanitare dhe paqësore nga më shumë se 40 vende, përfshirë edhe një aktiviste shqiptare nga Kosova sipas raportimeve,  akuzuan Izraelin për ndërhyrje të paligjshme në ujëra ndërkombëtare.

Ata këmbëngulin se misioni ishte krejtësisht humanitar dhe i destinuar të ndihmonte civilët në Gaza, në kushtet e një bllokade të ashpër dhe përkeqësimit të krizës humanitare.

Veprimet e Izraelit kanë shkaktuar kritika të ashpra ndërkombëtare, duke përfshirë reagime nga organizata për të drejtat e njeriut dhe disa qeveri evropiane, që i cilësuan arrestimet si “të pajustifikuara” dhe ndalimin e ndihmave si “kundër të drejtës ndërkombëtare humanitare”.

Qeveria izraelite i ka mbrojtur veprimet e saj, duke deklaruar se ndalimi i flotiljes ishte i nevojshëm për arsye sigurie dhe për të parandaluar hyrjen e mjeteve të mundshme të përdorura nga Hamasi.  Sipas Kombeve të Bashkuara, situata humanitare në Gaza është e rëndë, me mungesa të theksuara në ushqime, ilaçe dhe energji elektrike.

EMISIONET