Sarri merr drejtimin e Lazios. Tre lojtarë shqiptarë mund t’i bashkohen
Është gjithçka e kryer për Maurizio Sarrin te Lazio. Trajneri Italian rikthehet pas një sezoni pushim ku paguhej ndërkohë nga Juventusi teksa gjeti edhe akordin për një kontratë 2-vjeçare me bardhekaltërit dhe page 3.3 mln Euro me bonuse.
Nuk ishin bisedime të lehta ato për dyshen Lotito-Tare lidhur me trajnerin Sarri pasi duhej të arrihej në një pike të përbashkët lidhur me përforcimet dhe ndryshimin e lojës. Historikisht prej vitesh te Lazio luhej me 3-5-2 nga Inzaghi ndërsa Sarri është i njohur për modulin 4-3-3 dhe për të është e rëndësishme të ketë lojtarët e duhur.
Ndaj dhe në negociata një diskutim më vete ishte merkato ku do të bëhen disa goditje për të ndryshuar skemën e lojës dhe afrimet e verës do të kenë emra të njohur shqiptarë.
I pari dhe më I sigurti është Elseid Hysaj i cili u ngrit si lojtar pikërisht me Sarrin te Empoli dhe e ndoqi edhe te Napoli ndërsa tani do të bashkohen në Romë e për më tepër mbrojtësi shkodran është pa kontratë, pra vjen falas.
I dyti është Xherdan Shaqiri, sulmuesi zviceran i lindur në Kosovë i cili do t’I jepte fantazinë e munguar Lazios ndërsa i treti do të jetë një bast për Igli Taren.
Ashtu si Muriqi, Drejtori Sportiv kërkon dhe pëlqen prej kohësh Milot Rashicën i cili ra me Werder Bremen një kategori më poshtë dhe tani është gati të bëjë hapin e madh, pse jo me Sarrin te Lazio.
Në fund një tjetër goditje sërish falas do të jetë Maksimoviç po nga Napoli me të cilët mbojtësi mbylli kontratën. Pra, praktikisht vetëm 2 lojtarë do të afrohen si blerje ndërsa dy të tjerë do të jenë falas për arkën e Lazios.
