Rumuni nga Gjermania përfitoi mbi 420 mijë euro nga mashtrimi online, viktimë e tij dhe një kompani shqiptare

Një 41-vjeçar rumun me banim në Gjermani është arrestuar pasi akuzohet se përmes mashtrimit kompjuterik kishte arritur të përfitonte gati 500 mijë euro në dëm të një kompanie në Shqipëri. Kjo shoqëri kishte bërë denoncimin 4 vite më parë në lidhje me vjedhjen ndërkohë që hetimi është finalizuar nga sektori kundër krimeve kibernetike në policinë e shtetit.

Një kallëzim i bërë në vitin 2017 nga një kompani shqiptare është finalizuar këtë këtë hënë nga policia e shtetit me vendosjen nën akuzë të një shtetasi të huaj të akuzuar për krime kibernetike.

Në pranga ka rënë një 41-vjecar  me origjinë nga Rumania por që prej vitesh jetonte në Gjermani.

41-vjecari, i cili përdorte identitete të rreme kishte krijuar një kompani fiktive me emërtimin “EHExport-Import“, me qëllim mashtrimin e shtetasve në hapësirën virtuale, duke shitur pajisje të cilat në realitet nuk i posedonte.

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se ky person ka përfituar një shumë të dokumentuar prej 426.577 euro, në 26 raste, por nuk përjashtohet fakti që ky shtetas të ketë përfituar më shumë, duke qenë se e ka filluar aktivitetin kriminal që në vitin 2013 dhe ekzistojnë një sërë rastesh të padokumentuara.

Tashmë mbi 41-vjeçarin me iniciale A.T rëndon vepra penale e mashtrimit kompjuterik.

Sektori i hetimit kompjuterik ka paralajmëruar qytetarët të kenë kujdës në blerjet online, pasi në këtë fushë operojnë edhe kompani dhe faqe mashtruese.