Matura 2021, teza e Gjuhë-Letërsisë del në rrjete sociale pak minuta pasi nis provimi
Maturantët iu nënshtruan testit të dytë të maturës shtetërore në të gjithë vendin, por ndryshe nga i pari, vetëm pak minuta pas nisjes së procesit, në rrjetet sociale qarkulluan pyetjet e tezës provimit. Pas përfundimit të testimit, nxënësit janë shprehur se pyetjet ishin të thjeshta ndërsa konfirmuan se teza që ishte publikuar në internet ishte e njëjta me atë që plotësuan. Ministria e arsimit ende nuk ka një reagim për incidentin.
Pak minuta pasi maturantët u futën në klasa, testi u bë publik në rrjetet sociale.
Kjo ishte parregullsia e parë serioze që shoqëroi provimet e maturës këtë vit ndërkohë që Ministria e Arsimit ende nuk ka mbajtur një qëndrim në lidhje me incidentin.
Disa maturantë të pyetur nga Ora News, konfirmojnë së teza e cila qarkulloi në rrjetet sociale ishte pikërisht ajo që kishin zhvilluar.
“Po, kjo është”.
“Po”.
Sipas rregullores së maturës shtetërore, nëse një nga hartuesit e testit do ta publikojë atë, atëherë ndaj tij jepet paralajmërim për përjashtim nga puna, deri ne largimin nga detyra.
Kjo masë shoqërohet me pezullimin për 5 vite nga funksioni i hartuesit.
Ministria e Arsimit: Do kallëzojmë penalisht atë që e ka publikuar
Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, në një reagim paralajmëroi se do të kallëzojë penalisht shtetasin, i cili ka publikuar testin e Maturës Shtetërore të Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë.
Më tej MAS shprehet se publikimi i fletës nuk ka ndikuar në mbarëvatjen e këtij provimi.
Pavarësisht kësaj parregullsie, maturantët thanë se provimi shkoi mirë dhe se niveli i testit për nga vështirësia ishte brenda pritshmërive.
“Provimi ishte i thjesht, isha i përgatitur, dola mirë. Ishin thjeshtësuar goxha gjërat, te provimi i letërsisë që edhe ishim hasur edhe nuk ishim hasur. Ky i letërsisë ishte shumë i thjesht”.
Një pjesë e maturantëve ishin të qartë për studimet që do të ndiqnin.
“Kam dëshirë të vazhdoj për inxhinierinë informatike”.
Disa prej tyre janë shoqëruar nga të afërmit të cilët nuk fshehin emocionet.
“Kam sjellë mbesën, do vazhdoj për arkitekturë, do vazhdoj jashtë".
Provimi i radhës do të jetë ai i matematikës, i cili do të mbahet në 11 qershor.
