Kapen duke transportuar emigrantë të paligjshëm kundrejt shpërblimit, 2 të arrestuar në Korçë
Policia e Korçës ka vënë në pranga dy persona të cilët akuzohen për dhënie ndihmë klandestinëve të paligjshëm.
Në kuadër të operacionit të koduar "Perimetri" u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve M. G., 34 vjeç dhe D. D., 35 vjeç, banues në Pogradec.
Shërbimet e Policisë Kufitare, në bashkëpunim me ato të FRONTEX-it, kanë konstatuar në afërsi të fshatit Eçmenik, Devoll, shtetasit e mësipërm duke lëvizur me mjetin tip "Benz".
Shërbimet i kanë bërë me shenjë drejtuesit që të ndalonte, por ai nuk iu është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe është larguar me shpejtësi, por pas ndjekjes është kapur dhe neutralizuar në afërsi të fshatit Zëmblak, Maliq.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjet u konstatuan 3 emigrantë të paligjshëm, të cilëve shtetasit M. G. dhe D. D., kundrejt shpërblimit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.
Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Korçë, për veprime të mëtejshme.
