Lutje dhe qirinj për ta shpëtuar nga shkarkimi? Meta: Zoti t'i falë të gjithë ata që s'e dinë çfarë bëjnë

Ilir Meta nuk pret të ketë surpriza në seancën e 9 Qershorit, ditën që PS së bashku me deputetët e opozitës së re do të vendosin për shkarkimin e tij nga posti i Presidentit.

Nga kisha e Shijonit të Elbasanit, Kreu i Shtetit u ka dërguar një mesazh ish-aleatëve të tij, duke përdorur fjalët e Jezu Krishtit në momentin kur e kryqëzuan pasi u tradhëtua nga njerëzit e tij.

Meta: Nuk ekziston asnjë lutje e tillë, lutja është Zoti ti falë të gjithë ata që nuk dinë se çfarë bëjnë dhe ti udhëheqë të gjithë në rrugën e të mirës së përbashkët. Kam ardhur këtu për t'iu bashkuar këtij mesazhi bashkëjetese.

Presidenti vijon të mendojë se Kuvendi në këtë fazë tranzicioni nuk ka të drejtë Kushtetuese ta shkarkojë.

Meta: Nuk dëshiroj të flas në një vend të shenjtë për çështje që nuk ekzistojnë. Kuvendi sot është dhe tre herë më antikushtetues se ka qenë, asnjë shqetësim. Nëse doni të merreni me një gjë serioze merruni  me hetimin e krimeve zgjedhore para, gjatë dhe pas 25 prillit.

Ndryshe nga Kreu i Shtetit, deputetët aktualë e lexojnë ndryshe Kushtetutën, dhe këtë ja bëri të qartë numri dy i PS-së nga e njëjta kishë.

Balla: Në hyrje të kësaj kishe që për mua është një objekt shumë i dashur, mund të them se kisha dhe zoti fal vetëm mëkat shpirtërore dhe jo ato penale. Kaq mund të them. Unë do të doja që këtu të ishin edhe kolegët e PD-së dhe ta vizitonin këtë manastir dhe të njihen me mesazhet përbashkuese. Ne duhet të bashkohemi edhe brenda politikës shqiptare dhe rajonit të Ballkanit.  

Për të shkarkuar Ilir Metën, socialistët do t’i kërkojnë shërbimin e fundit politik deputetëve të opozitës, pasi për këtë vullneti politik të mazhorancës nevojiten 94 vota.