Kosova në listën prioritare të Amerikës, do i marrë direkt vaksinat anti-Covid
Kosova është përzgjedhur si vendi që do i përfitojë direkt dhe jo nëpërmjet COVAX-it, mijëra vaksinat e premtuara nga Amerika. Shtëpia e Bardhë thotë se janë 80 milionë doza që synon të ndajë në gjithë botën brenda qershorit.
Amerika do të ndajë nëpër botë 80 milionë vaksina të papërdorura kundër kovidit-19, qoftë nëpërmjet planit COVAX të Kombeve të Bashkuara ose duke ua dorëzuar direkt shteteve.
Shtëpia e Bardhë njoftoi se Kosova është në listën prioritare për vaksinat nga Uashingtoni, dhe do i përfitojë ato drejtpërdrejt.
Janë 6 milionë doza gjithsej që do u ndahen disa shteteve partnere me nevoja urgjente, ku bën pjesë edhe shteti ballkanik.
"Dua të shpreh mirënjohjen time më të thellë për Presidentin Biden për këtë gjest bujar dhe për dhurimin e vaksinave COVID-19 për Republikën e Kosovës, pas kërkesës së adresuar atij në muajin mars," reagoi presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.
Amerika ka vaksinuar vetë më shumë se 63 për qind të të rriturve me të paktën një dozë.
Për shkak të ritmeve të larta fillestare po vihet re një ulje e kërkesës për imunizime të tjera dhe po vijohet me fëmijët, ndërkohë që shtohet stoku me vaksinat e porositura dhe akuzat nga OBSH-ja se vendi po pengon fushatën globale të vaksinimit, po ua mohon ato më të varfërve.
"Duke qenë se kemi furnizime të mjaftueshme për amerikanët, shtesat do i dhurojmë dhe inkurajojmë edhe vendet e tjera që kanë suficite vaksinash që të veprojnë njësoj. Një total prej 80 milionë dozash duam t'i ndajmë brenda qershorit, ndërsa 25 milionë sa më shpejt që të jetë e mundur," njoftoi Shtëpia e Bardhë.
Presidenti amerikan, Bajden, ka konfirmuar se vendeve të tjera do u jepen vaksina të prodhimit AstraZeneca ndërsa në fazën e parë, vaksinat Pfizer, Moderna dhe Johnson & Johnson.
Deri tani, janë vaksinuar mbi 2 miliardë kundër kovidit-19, sëmundje që ka vrarë mbi 3 milionë e 700 mijë veta në të gjithë botën.

