"Po studiojmë raportin", Ambasadorja holandeze tregon për Ora News a e meriton Shqipëria hapjen e negociatave

Holanda që i ka dhënë disa herë jo çeljes së negociatave mes Shqipërisë e BE duket se ende nuk e ka një vendim për nisjen e këtij procesi. Nga Shkodra, ku ishte e pranishme në një ekspozitë për trafikimin, ambasadorja Guusje Korthals Altes tha se qeveria e vendit të saj po studion progres-raportin.

Shqipëria pret përgjigjen e radhës për çeljen e negociatave me Bashkimin Europian.

Holanda skeptike që i ka dhënë disa herë jo, këtë herë duket se nuk është e prerë në qëndrime.

Nga Shkodra ku u pyet për këtë fakt nga Ora News, ambasadorja Guusje Korthals Altes deklaroi se po studiohet raporti i dërguar nga Komisioni Europian.

“Faleminderit për pyetjen. Holanda në këtë moment është duke studiuar raportin që ka dërguar Komisioni Europian për progresin e Shqipërisë”.

E pranishme në një ekspozitë për trafikimin e qënieve njerezore, ajo tha se fenomeni duhet luftuar pa reshtur, ndërsa vlerësoi bashkëpunimin mes autoriteteve dypalëshe.

 “Trafikimi është një problem që ndodh në të gjitha vendet e botës përfshirë edhe Holandën dhe hapi i parë për të ndaluar trafikimin e qenieve njerëzore është që të flasim për të.

Zakonisht është një çështje shumë e ndjeshme dhe e vështirë për të folur për të dhe në këtë mënyrë kemi filluar të bashkëpunojmë me qendrën ‘Tirana Art’ për të filluar dhe për të përdorur artin si një mënyrë për të nisur diskutimin rrethe çështjeve të trafikimit. Edhe pse kemi përdorur artin sërish është e vështirë për të dalë dhe për të folur në mënyrë të hapur dhe pa drojë për këtë çështje.

Unë shpresoj që në do të vazhdojmë që të gjejmë mënyra për të folur dhe për të mbajtur të hapur diskutimin për çështjet e trafikimit dhe për të mbajtur të kapur sinjale sepse është shumë e rëndësishme që për gratë dhe vajzat e trafikuara të dëgjohen, të pranohen dhe mbi të gjitha të mos fajësohen për atë çfarë ju ka ndodhur.

 Mesazhi im për të rinjtë është që në qoftë se ata shohin diçka që nuk shkon është më mirë që sa më herët të shkojnë dhe të flasin me dikë që ata i besojnë në mënyrë që të mos jetë shumë vonë.

Të gjithë hallkat e organeve ligjzbatuese në Shqipëri të bashkëpunojnë me njëri-tjetrin në mënyrë që pandëshkueshmëria të mos jetë një realitet po të gjithë ata që janë pjesë e trafikimit të marrin dënimin që meritojnë sepse është detyra e të gjithëve ne bashkë me institucionet që t’i japim një dorë për ta ndaluar fenomenin e trafikimit. Ne kemi hapur diskutimin dhe do e vijojmë deri sa ta ndalojmë.

Për rastet mes organeve ligjzbatuese të Shqipërisë dhe Holandës ka një bashkëpunim dhe ka pasur çështje që janë adresuar si këtu, në Holandë apo vende të tjera. Vitet e fundit bashkëpunimi mes organeve ligjzbatuese të Shqipërisë dhe Holandës është fuqizuar dhe shpresojmë që të vijojë edhe më tutje” tha ajo.

Një pjesë e vendeve anëtare dhe vetë delegacioni i BE, apo zyrtarë të lartë europian kanë folur këto ditë me nota pozitive për progresin e bërë nga Shqipëria.