Teuta, kampione e Shqipërisë pas 27 vitesh, Meta uron "djemtë e detit" për trofeun

Plot 27 vjet më pas, “mbretëresha” u ngjit sërish në fron. Teuta e Durrësit është kampione e Shqipërisë për herë të dytë në histori, por për herë të parë në foto-finish.

Presidenti Ilir Meta ka uruar djemtë e detit për këtë trofe të rëndësishëm të fituar me meritë.

Meta: Urime KF Teuta për shpalljen kampione të Kategorisë Superiore!Përgëzime Djemve të Detit dhe të gjithë tifozëve durrsakë për këtë trofe të rëndësishëm të fituar me meritë pas 27 vitesh pritje.

Ekipi durrsak kishte vetëm një rezultat të mundshëm në ndeshjen e fundit dhe e arriti me rezultatin e thellë 6-1 ndaj Apolonisë në “Niko Dovana” ku nuk munguan tifozët edhe pse zyrtarisht në impiante nuk lejohen.

Ishte Dejvi Bregu heroi i Teutës që me tre gola në këtë ndeshje riktheu titullin kampion pas shumë vitesh në qytetin bregdetar, plot 27 vite që i mungonte dhe jo vetëm kaq sepse me ato që shënoi sot, sulmuesi rrëmben edhe Këpucën e Artë të kampionatit me 16 gola të realizuar.